Futbollisti nga Kosova suspendohet për pesë vjet për kurdisje të ndeshjeve

16 prill 2020 | 21:59

Ish-futbollisti kosovar, Alban Jusufi, është dënuar nga Federata e Futbollit të Suedisë për kurdisje të ndeshjeve.

Në fakt Jusufi është pensionuar nga futbolli që në vitin 2013, por Federata suedeze megjithatë e ka dënuar për të dëshmuar përfshirjen e tij në kurdisje të rezultateve.

Vendimi u mor të enjten. Federata e Suedisë në fakt ka suspenduar për pesë vjet dy futbollistë. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e Manchester Cityt, Dickson Etuhu dhe për Jusufin. Sipas federatës, ata janë munduar të bindin një lojtar që mos të jap më të mirën në ndeshje, përkatësisht të lëshoj ndeshjen.

Vendimi ua ndalon Etuhus dhe Jusufit paraqitjen në garat e Suedisë për pesë vjet, raporton Koha.net.

Etuhu dhe Jusufi në maj të vitit 2017, sipas vendimit, i kanë ofruar favore portierit Kenny Stamatopoulos që të kurdis ndeshjen me Gothenburgun. Ai ishte pjesë e AIK Stockholm.

Sipas mediave angleze, portierit rezervë i ishin ofruar rreth 205 mijë euro për të lëshuar ndeshjen.

Etuhu kishte mohuar përfshirjen, por pas një hetimi të gjatë ai u shpall fajtor në nëntor të vitit 2019. Tani federata i ka dënuar të dy me pesë vjet.

“Bordi Disiplinor ka vendosur të suspendojë dy persona pasi ata janë munduar me qëllim që të bindin një lojtarë të futbollit që të mos angazhohet në një nga ndeshjet e ekipit. Me veprimin e tyre këta persona kanë shkelur rregullat anti-kurdisje dhe rrjedhimisht janë suspenduar për pesë vjet. Dënimi përfshinë stërvitjet, garat apo kryerjen e ndonjë detyre në sport”, thuhet në vendimin e Federatës së Futbollit të Suedisë.

Hetimet kanë treguar se Etuhu dhe Jusufi e kanë takuar portierin Stamatopoulos më 16 maj 2017 në një restorant në Stokholm, ku u bë përpjekja për të blerë atë. Por portieri kishte raportuar rastin dhe ndeshja ishte shtyrë.

Jusufi, tani 38-vjeçar, së fundi ka luajtur për skuadrën Rossjoholm nga viti 2011 deri në vitin 2003. Ka luajtur edhe për skuadra tjera suedeze, ndërsa ishte edhe te Vllaznia e Shkodrës nga viti 2007 deri në vitin 2009.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sot rreth…