Futbollistja spanjolle e kuptoi se i vdiq babai pasi e fitoi Kupën e Botës
Ndonjëherë, gëzimi i madh, festa dhe lumturia dinë të kthehen në hidhërim, pikëllim e mërzi.
E kjo i ndodhi mbrëmë futbollistes spanjolle, Olga Carmona. Ajo ishte protagoniste në finalen e Kupës së Botës duke e shënuar golin e fitores ndaj Anglisë.
Olga ishte njeriu më i lumtur në botë dje pasi kapitenia ia siguroi trofeun më të çmuar Kombëtares së Spanjës.
Por, ajo s’mund ta imagjinonte dot se çka po e priste pak orë më vonë.
Pas përfundimit të festës me Kombëtaren, Carmona e mori vesh se babai i saj kishte ndërruar jetë, duke iu kthyer kështu përmbys krejt bota dhe duke e harruar suksesin historik që e arriti.
“Dhe, pa e ditur unë kisha yllin tim para se të fillonte ndeshja. E di që ma ke dhënë forcën për të arritur diçka unike. E di që më ke parë sonte dhe se je krenar për mua. Pusho në paqe babi”, ka shkruar futbollistja spanjolle në Twitter.