Futja e Kosovës në agjendë për anëtarësim në KiE s’është mbyllur
Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka deklaruar se, pavarësisht prej presionit ndërkombëtar për Asociacionin, futja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE-së për anëtarësim do të vazhdojë.
Dugolli tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara dhe se, sipas tij, është e pakuptimtë që të kërkohen kushte shtesë apo të ketë ndonjë presion mbi Kosovën.
“Mendoj që futja në agjendë pra për Këshillin e Ministrave do të vazhdon dhe kjo çështje nuk është mbyllë sot. Dhe përfundimisht po mendoj që është koha që t’i jipet vota pro, të kemi dritën jeshile edhe nga komiteti i ministrave për shkak se Kosova i ka përmbushë të gjitha kushtet e parapara. Pra raporti që ka kalu në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka parapa kushte shtesë edhe ka qenë një vendim unanim thuja me 82 për qind të votave. Dhe tash është diçka krejtësisht e pakuptimtë që të ketë ndonjë presion apo ndonjë element shtesë, pra ndonjë kushtëzim për Kosovën”, tha Dugolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë.