Fyerja e viktimave të luftës duhet të ndalohet me ligj

11 prill 2019 | 13:31

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur të domosdoshëm vendimin për shkarkimin e ministrit serb të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili fyeu viktimat e masakrës së Reçakut.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta ketë një iniciativë ligjore përmes së cilës nuk mund të mohohet gjenocidi që ka kryer Serbia në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka thënë se fyerja e viktimave të luftës 1998-1999 duhet të ndalohet me ligj si vepër penale.

Në këtë intervistë zëvendëskryeministri Hoxhaj ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, me ç’rast ka thënë se procesi i dialogut nuk duhet të reduktohet në taksë meqë është në interes të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë prioritet i Kosovës për këtë vit

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, për shkak të fyerjeve që ua ka bërë viktimave të masakrës së Reçakut. Shkarkimet janë forma e vetme për të ndalë këtë diskurs të serbëve?
Hoxhaj: Ka qenë vendim i domosdoshëm. Është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës mënyra se si përfaqësuesit e Listës Serbe po sillen duke reflektuar një lloj kursi fashist në raport me atë se çfarë ka ndodhur para 20 vjetëve në Kosovë. Ata po lëndojnë edhe një herë dinjitetin e viktimave duke promovuar një vetëdije politike dhe metoda politike të cilat kanë sjellë krime në Kosovë. Prandaj, në të ardhmen duhet ta kemi një iniciativë ligjore se si të mos mohohet gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë. Ka praktika të mira evropiane të cilat e parandalojnë një gjë të tillë. Kushdo që e fyen viktimën që ka qenë rezultat i dhunës shtetërore të ushtruar nga Serbia në Kosovë, e cila ka kulmuar në vitet 1998 dhe 1999 me spastrim etnik, do të duhej të rregullohet me ligj si vepër penale. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në të ardhmen duhet ta kenë një kornizë ligjore që mbron viktimat dhe mbron një vlerë e cila ka sjellë edhe intervenimin e NATO-s në Kosovë, si dhe e cila ka krijuar një bazë për drejtësi.

“Epoka e re”: Ky është zyrtari i tretë që është shkaktuar për këtë çështje. Po ndikon kjo në raportet e qeverisë me Listën Serbe?
Hoxhaj: Nuk jemi qeveri e cila teknikisht do të duhej t’i ushqejë proceset e tilla. Ajo që ka ndodhur në Kosovë ka njohje dhe pranim ndërkombëtar. Politika e spastrimit etnik në Kosovë nuk ka qenë manifestim periferik i luftës, por ka qenë qëllim i luftës. Krimet masive në popullatën civile, dëbimi i njerëzve, vrasja në masë, metodat e ndryshme për ta shuar identitetin e Kosovës me idenë e ndryshimit të strukturës demografike, janë gjërat që janë dënuar nga OKB-ja në vitin 1998-1999, janë proceset të cilat kanë marrë një dënim të mirëfilltë ndërkombëtar. Është e papranueshme që sot dikush të thotë se ‘ajo që ka ndodhur në Reçak apo diku tjetër në Kosovë nuk ka qenë e vërtetë’. Në këto tri javët e fundit unë çdo ditë kam qenë në akademi të ndryshme përkujtimore qoftë për martirë, dëshmorë dhe heronj të Kosovës, dhe në çdo fshat të Kosovës ka dhjetëra e qindra të vrarë që janë pjesë e një fushate të spastrimit etnik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Bosnje dhe në Kroaci dhe përgjegjësia për një gjë të tillë i takon Serbisë. Është e papranueshme që në vitin 2019 të sillet dikush sikurse që është sjellë në Beograd në vitet 1998 dhe 1999.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e qeverisë për zgjedhjet e 19 majit në veri?
Hoxhaj: Është me interes të madh nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, që ata t’i përfaqësojnë interesat e komunitetit të tyre. Njëherë e përgjithmonë do të duhej ta kuptojnë se Kosova është vend sovran, i pavarur dhe askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë. Integrimi i tyre në jetën politike është i garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi. Kosova është shtet shumetnik, demokratik dhe sekular. U mbetet përfaqësuesve të komunitetit serb që t’i ushtrojnë interesat e komunitetit të tyre dhe jo të jenë dorë e zgjatur e dikujt tjetër në Beograd.

“Epoka e re”: Zëvendëskryeministër, si është duke funksionuar koalicioni qeverisës?
Hoxhaj: Koalicioni qeverisës ka bërë punë të mirë sa i takon marrjes së disa vendimeve të rëndësishme. Ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, edhe me mbështetjen e opozitës për ushtrinë, është një e arritur e këtij koalicioni sikurse që ka qenë edhe çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Natyrisht se kemi qenë të përkushtuar edhe ndaj temave të tjera dhe marrë në tërësi, ka stabilitet dhe po i bëjmë punët që na takojnë. Kësaj qeverie i mungon mbështetja në Kuvendin e Kosovës dhe në të ardhmen dëshiroj të ketë situata, ku mbështetja parlamentare duhet të shihet si prioritet i çdo partie politike, pavarësisht se kush do të jetë në qeveri.

“Epoka e re”: Është arritur uniteti brenda koalicionit për pezullimin e taksës?
Hoxhaj: Kjo temë është konsumuar. I dimë qëndrimet e çdo subjekti në koalicion. PDK-ja qëndron prapa vendimit të kryetarit Veseli. Taksa do të duhej të shihej në një kontekst më të gjerë. Në një kohë kur edhe G7, që përfaqëson shtatë vendet me të fuqishme politike, ushtarake dhe shtatë ekonomitë më të rëndësishme, e shndërron Kosovën në një prioritet evropian dhe global, kur vendet: ShBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia janë të përkushtuara që ta përmbyllin shtetndërtimin e Kosovës me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe me njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të shtrohet pyetja se sa jemi unikë ne në Kosovë për të lëvizur me një shpejtësi e cila është në interes të Kosovës. Dialogu duhet të jetë prioritet jo vetëm i një partie politike, por edhe i qeverisë dhe opozitës.  

“Epoka e re”: Çfarë po ndodh me dialogun? Mund të ketë vazhdim të këtij procesi pa u hequr taksa?
Hoxhaj: Jemi duke humbur kohë. Nëse presidenti Trump i shkuan letër presidentit Thaçi dhe atij të Serbisë, nëse BE-ja thotë se pas marrëveshjes së Prespës në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, prioritet është dialogu dhe arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi, si dhe nëse G7 thotë, po ashtu, se pas kësaj marrëveshje prioritet ndërkombëtar është Kosova, ne duhet të lëvizim me një shpejtësi të re.

“Epoka e re”: Nëse nuk do të ndodhë kjo shpejtësi për të cilën ju po flisni, kjo çështje mund të ndikojë në agjendën evropiane dhe në liberalizimin e vizave?
Hoxhaj: Nuk bën ta reduktojmë dialogun në taksë meqë dialogu është në interes të Kosovës. Në situata të tilla në politikë të jashtme nuk ka të bëjë me atë se kush ndaj kujt ka simpati apo antipati, mirëpo në politikën e jashtme ka vetëm interesa. Interes i Kosovës është ta përmbyllë shtetndërtimin. Dhe shtetndërtimi i Kosovës përmbyllet atëherë kur e shohim flamurin e Kosovës duke u ngritur lart në OKB si shtet anëtar i plotë dhe me të drejta e përgjegjësi të barabarta. Në këtë drejtim do të duhej ta shohë çdokush. Nuk do të duhej që politikën e jashtme ta reduktojmë vetëm në dialog, por duhet të kemi edhe prioritete të tjera. Krahas dialogut duhet të shohim se cilat janë qëllimet e tjera strategjike të cilat duhet t’i përmbushim si shtet dhe shoqëri. Liberalizimi i vizave është temë kyçe ku kemi humbur shumë kohë pa nevojë dhe është jetike që të ketë një vendim.

“Epoka e re”: Prisni që ky vendim të merret në takimin e qershorit?
Hoxhaj: Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për vlerësimin e progresit, ka konstatuar në vitin 2016, 2018 dhe 2019 së bashku me Parlamentin Evropian që Kosova meriton ta gëzojë të drejtën e lëvizjes pa viza. Edhe komisionari Avramopolus, komisionari Hahn dhe znj. Mogherini e kanë thënë një gjë të tillë bazuar në faktet reale në terren. Por vendimmarrja në Këshillin Evropian është e shteteve anëtare dhe presim që shtetet anëtare ta mbështesin Kosovën në këtë proces. Është në interes të Kosovës përmbyllja e vendimmarrjes politike për liberalizim të vizave.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj në ditët dhe muajt në vazhdim do të ketë riformatim të kabinetit qeveritar?
Hoxhaj: Deri më tash nuk ka pasur një debat të tillë as në PDK e as në qeveri. Për çdo riformatim të qeverisë vendimmarrja u takon partnerëve të koalicionit.

“Epoka e re”: Opozita ka riaktualizuar çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Do të ketë zgjedhje këtë vit?
Hoxhaj: Në vitin 2019 Kosovën e presin procese më të mëdha. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, por nuk po e lexojnë situatën drejt. Nëse shtatë vendet më të fuqishme në botë mblidhen, diskutojnë dhe presin nga Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje obligative ligjore, ne në Kosovë nuk duhet humbim kohë me temat e brendshme. Zgjedhjet nuk janë prioritet për Kosovën në vitin 2019.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar “Indeksin e…