Gabime në librat shkollorë, ankohen mësimdhënësit dhe prindërit
Nxënësit e shkollave fillorë në Kosovë vazhdojnë të përballën me gabime drejtshkrimore në librat që atë mësojnë, e kjo gjë ndodh më së shumti në data e ngjarje historike të shkruara jo ashtu siç janë në realitet.
Nuk dihet nëse janë ndërmarr masa ndaj atyre që gabuan. Ministria e Arsimit nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet rreth kësaj çështje, ani pse portali “Arbresh.info” ka drejtuar pyetjet në këtë dikaster, për të kuptuar nëse janë marrë masa për parandalimin e gabimeve të tilla.
Mësimdhënësit thonë se këto gabime po u shkaktojnë vështirësi gjatë punës së tyre, pasi duhet t’ua shpjegojnë nxënësve gabimet në libra.
Mësimdhënësi: Gabimet ndodhin më së shumti në tekstet e lëndës së Historisë
Se sa është e vështirë kjo për një mësimdhënës që të ia shpjegojë nxënësit ndryshe dhe saktë nga ajo që shkruhet në libër, tregon mësuesi i lëndës së Historisë, Mujë Krasniqi.
Krasniqi për “Arbresh.info” thotë se këto gabime ndodhin më së shumti në tekstet e lëndës së Historisë.
“Tekstet e historisë kanë disa gabime, në ngjarje historike, data, rezultatet për të nxënë, harta historike”, pohon mësimdhënësi Krasniqi.
Ai thotë se mundohet që të jetë sa më korrekt dhe shpesh përdorë edhe literaturë tjetër për ta evituar mësimin gabim të nxënësve të tij.
“Mundohem me qenë sa më korrekt që t’i tregojmë nxënësve për vërtetësinë e informacionit duke përdorur edhe literaturë tjetër pavarësisht edhe nga një përvojë e gjatë si mësimdhënës”, shprehet Krasniqi për “Arbresh.info”.
Ai thekson se nxënësit më së shumti i besojnë asaj që lexojnë në libër, e kur ajo që thuhet në libër është gabim, e ndryshe shpjegohet nga mësuesi, nxënësi pyet pse ndodh kjo?
Krasniqi thotë se mundohen të bëjnë justifikime për ngjarjet.
“Te nxënësit mundohem të bëjë një justifikim për ngjarjet, apo tu thuhet se është gabim në tekste”, tregon ai.
Këshilli i Prindërve: Sistemi shkollorë në Kosovë nuk përmbush nevojat e tregut
Jeton Demi nga Këshilli i Prindërve thotë se është për keqardhje që Ministria e Arsimit nuk ka marrë ende masa dhe nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e librave shkollorë.
“Është për keqardhje që Ministria e Arsimit nuk ka marrë masa dhe nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen e librave shkollorë. Fakti që në librat shkollorë aktualisht prindërit i evidentojnë problemet pasqyron gjendjen shumë joprofesionale të trajtimit të kësaj çështjeje nga Ministria e Arsimit”, shprehet Demi për Arbresh.info.
Demi thotë se për këto gabime ankohen edhe prindërit.
“Ankesat e prindërve për përmbajtjen e librave shkollorë, për gabimet e shumta, si në përmbajtje ashtu në edhe në drejtshkrim kanë qenë dhe janë të vazhdueshme”. deklaroi ai.
Ai thotë se prindërit duhet të punojnë edhe më shumë me fëmijët e tyre për një të ardhme më të mirë, pasi sipas tij, sistemi shkollorë në Kosovë nuk përmbush nevojat e tregut.
“Prindërit duhet të punojnë shumë nëse duan që fëmijët e tyre të jenë të gatshëm e të vlefshëm për tregun e punës dhe të ardhmen e tyre. Kjo ngase sistemi ynë shkollor nuk arrin as në minimum të përmbush nevojat e tregut të punës por vazhdon ta trajtojë procesin mësimor si një rutinë të mbamendjes dhe vlerësimit krejt sipërfaqësor e mekanik, kur edukimi, respektimi i vlerave njerëzore, kreativitetit, prakticiteti dhe aftësia për t’u përballur me situata të reja nuk është pjesë e vlerave bazë të sistemit edukativ e mësimor”, pohon Demi.
Sipas tij, gjendja e Arsimit në Kosovë vazhdon të jetë e pa përmirësuar dhe me pasoja të rënda.
“Pra, vazhdojmë të jemi në gjendje të pa përmirësuar të arsimit në Kosovë, me pasoja edhe më të rënda meqë në realitet jeta po ndryshon shumë shpejt dhe shkalla e mospërputhjes mes dijeve në shkollë dhe praktikës në jetë po zgjerohet edhe më shumë”, thotë Demi.
Rexha: Është përgjegjësi e autoriteteve të marrin masa
Ish-zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj thekson se gabimet teknike e drejtshkrimore ndodhin gjithmonë, por nëse në një libër ka më shumë se një kësi lloj lëshimesh, atëherë mbetet përgjegjësi e autoriteteve që të marrin masa.
“Gabimet teknike e drejtshkrimore ndodhin gjithmonë. Ato janë përgjegjësi e autorit dhe e botuesit për mendimin tim. Por, ne rast se në një libër ka më shumë lëshime të tilla, atëherë është përgjegjësi e autoriteteve të marrin masa sipas shkalles së lëshimit”, thotë Regjaj për Arbresh.info.
Ndryshe, një gabim që ndodhi së fundmi është edhe data e Pavarësisë së Kosovës.
17 shkurt 2008 është data kur Kosova e shpalli Pavarësinë, por kjo datë nuk është përfshirë në asnjë nga katër alternativat me të cilat sfidohen nxënësit e klasës së katërt në pyetjen se kur është shpallur Pavarësia.
17 shkurt 2006, 17 shtator 2008, 17 shtator 2009 apo 17 shkurt 2007 janë opsionet që u ofrohen nxënësve në fletore-punën e lëndës “Shoqëria dhe Mjedisi 4”.
Kur ndodhi rasti, prindërit e nxënësve kanë reaguar në rrjete sociale për gabimin e vënë re, ata kanë treguar se nxënësit janë detyruar që ta ndryshojnë njërin nga opsionet për të nxjerrë rezultatin e saktë, në librin me tri autore. /Arbresh.info/