Gabovci përkujton Xhemajl Fetahajn dhe Milazim Shalën
Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Adem Grabovci, ka përkujtuar dëshmorët Xhamajl Fetahaj dhe Milazim Shala, në 22-vjetorin e rënies së tyre.
Grabovci ka thënë se me Xhemajl Fetahajn ka pasur fatin të njihet dhe të bashkëveproj shumë herët, që në rininë e hershme.
“Xhema, edhe përkundër burgut të rënd që mbajti prej 6 viteve (1984-1990), ai vazhdoj me aktivitet kombëtar, pas lirimit”, ka shkruar Grabovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Grabovcit:
Pikërisht në 22 vjetorin e rënies heroike të Xhemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës, kujtoj vështirësitë nëpër të cilat është dashur të kalojnë luftëtarët e UÇK-së, gjatë betejave për liri.
Njëri nga personalitetet më të shquara të përpjekjeve për liri, ishte Xhemajl Fetahaj, djaloshi fjalëpakë, guximtar dhe i përkushtuar gjer në flijim për çlirimin, lirinë dhe pavarësimin e Kosovës.
Me Xhemajlin kam pas fatin të njihem dhe bashkëveproj shumë herët, që në rininë tonë të hershme.
Xhema, edhe përkundër burgut të rënd që mbajti prej 6 viteve (1984-1990), ai vazhdoj me aktivitet kombëtar, pas lirimit.
E gjejmë në ballë të organizimit të demonstratave, në mbështetje të fuqishme të Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve, në aktivitete politike, në sigurimin dhe strehimin e armatimit si dhe rekrutimin e pjesëtarëve të parë të grupeve të armatosura, pastaj në angazhimin në Lëvizjen Popullore të Kosovës jashtë vendit (për mobilizimin, organizimin dhe financimin e luftës së UÇK-së), e për të vazhduar me angazhimin direkt në frontin e luftës. Në frontin e Koshares, merr detyrën e komandantit të forcave komando “DELTA”.
Duke konfirmuar bindjen dhe orientimin e tij politik kombëtar, se liria e Kosovës dhe popullit shqiptar nuk mund të fitohej pa sakrifica dhe flijim, Xhema, bashkë me Milazimin, bie heroikisht në altarin e lirisë më 31 maj 1999 në pozicionet luftarake të C/2-shit, pas një serie ballafaqimesh luftarake të pandalshme në mes të UÇK-së dhe forcave armike serbe, për të fituar pavdekësinë në kujtesën e bashkëluftëtarëve, miqve, shokëve dhe mbarë Kombit.
Lavdi Xhemajl Fetahajt, Milazim Shalës dhe gjithë të rënëve për çlirim.