Gabriel Escobar në Kosovë këtë javë për të diskutuar për dialogun dhe dinarin
Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.
“Vizita e tij do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Perëndimit Ballkani ndërsa ata ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Muajin e kaluar, Escobari kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë javës do të jetë për vizitë në Kosovë.
“Nuk dua të hyjë në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk punon me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”, kishte thënë ai.
Edhe, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kur ka folur për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës që ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës dhe mos-gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të vepruar sipas kërkesave të komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim deklaroi se nëse Kosova s’dëshiron partneritet as ne nuk dëshirojmë.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai.
Çka thanë krerët e shtetit për raportet me SHBA-të pas vendimit për dinarin?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media më 23 shkurt duke folur për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës dhe kërkesën e komunitetit ndërkombëtar që kjo temë të diskutohet në procesin e dialogut në Bruksel, ka potencuar se “çështja mund të zgjidhet këtu në Kosovë”.
Për Osmanin kjo temë nuk është dashur fare të krijojë përplasje me aleatët, por sipas saj “nganjëherë është mungesa e komunikimit me kohë që i shkakton ato”.
Duke e portretizuar çështjen e rregullores së BQK si një problem të thjesht, Osmani është shprehur e bindur se “në rast vullneti me një takim i cili mund të zgjasë disa orë mund të konkludohen hapat konkretë” se si mund të zgjidhet.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt nuk është dashur të bëhet çështje fare, nuk është dashur të krijohet përplasje me aleatët tanë fare”, deklaroi ajo.
Më 21 shkurt, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pyetur nga gazetarët për kritikat e ashpra të Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien për Qeverinë pas ndalimit të përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe, derisa ka theksuar se amerikanët kanë drojë se Serbia mund të kundër reagojë.
“ShBA këtë proces e shohin shumë më shumë prej perspektives së sigurisë, domethënë ata frikësohen se Serbia mund të kundër reagojë dhe kjo e qet situatën prej kontrollit, ky është perceptimi i ShBA-së, kështu ka qenë gjithmonë”, tha Konjufca.
“Si e shohim ne, është e drejtë e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetit në vend. Kjo është perspektivë më e ultë, më e ngushtë por është perspektivë e së drejtës së Kosovës”.
Sipas tij, përkundër kritikave, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës “nuk janë për t’u shqetësuar” dhe “për të bërë panik”.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai ka thënë se raportet me SHBA-të do të vazhdojnë të jenë të mira, por kjo sipas tij s’do të thotë se duhet të pajtohen çdo herë e për çdo gjë.
“Si kryeministër i Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë tash me jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka”.
Ai ka potencuar se Qeveria është e detyruar ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e ndaloi përdorimin e dinarit serb ndërsa shtoi një periudhë tranzitore 3 mujore me arsyetimin e informimit të serbëve në Veri.
“Mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.
Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb.
Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë.
Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka ndaluar përdorimin e dinarit. Më 12 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit për zbatimin e rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.