Gabriel Escobar: SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në veri
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, ani pse serbët do t’i bojkotojnë.
Escobar, në një intervistë për Tanjugun u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet e Prishtinës.
Emisari amerikan, i pyetur nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës do të jenë legjitime nëse serbët i bojkotojnë ato, ai tha se fakti që disa parti politike bojkotojnë zgjedhjet nuk përcaktojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe tha se SHBA do të njohë rezultatet në çdo rast.
“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë.
Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhjet dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen”, tha Escobar.
I dërguari i SHBA-së ka thënë se pret nga Prishtina dhe Beogradi të ofrojnë kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të fillojnë propozimet fillestare për “Zajednicën”.
“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, deklaroi më tej ai.