GABRIELLA VALERA
Gabriella Valera ka lindur në Baia, një qytet i vogël pranë detit në Napoli. Ka jetuar për një kohë të gjatë në Calabria, kurse aktualisht jeton në Trieste, ku takoi të shoqin Ottavio. Pos punës si docente në Universitet, ajo është aktiviste e vlerave të poezisë dhe angazhimit në punën vullnetare, duke promovuar, ndër të tjera, manifestimin “poezi e solidaritet, gjuha e popujve”. Në sektorin shkencor ajo ka botuar studime të panumërta, në Itali dhe jashtë saj. Ka botuar disa libra dhe luan bukur pianon.
1.
* * *
Nganjëherë
Shoh në ëndërr hijet e zeza të maleve
erërat mbi kënetat
e heshtjen
e një peizazhi të palëvizshëm
Dhe unë që shkoj e hutuar
aty ku më thonë
që terri
ka mbuluar pikturat e një artisti
* * *
2.
Nënë, mos qaj.
Ndoshta edhe atje lart të lashë vetëm.
Po nuk mund të jepja tjetër pos vetmisë
Sa e dashur e sa ke dashur
e kuptova
duke kërkuar
sekretin e pastër të asaj dashurie.
Kështu qe e transformova atë
në një gurrë të shenjtë
që kurrë nuk pushon.
Nënë, më duhej ta bëja.
Nëse ndonjëherë ti më do apo më kërkon më kot
dije se
unë jam një substancë ëndrre
(Përktheu nga italishtja, për revistën “Akademia”, Leonora Buçinca)