Gajdexhiu i Normandisë
Nga: Dashnor Kokonozi
Siç pritej, 80-vjetori i zbarkimit në Normandi, i cili cilësohet si më i madhi i historisë së njerëzimit, solli në kujtesë të njerëzve mjaft ngjarje të asaj ditë të paharruar.
Në mendje më mbeti historia e një ushtari skocez. E Bill Millinit i cili midis shpërthimit të bombave, predhave të artilerisë, snajperëve e batareve të mitralozave gjermane qe fortifikonin atë qe quhej “Muri i Atlantikut), nisi të luajë me gajde himnin e regjimenteve skocezë, Djaloshi i Malësisë [Highland Laddie].
Tek po zbriste nga blindi amfib dhe po i afrohej bregut, në vend të armës Bill Millini bëri gati gajden e vet, madje veshi edhe kiltin skocez që kishte mbajtur i ati në Luftën e Parë Botërore. Një oficeri që i thotë se rregullat e ushtrisë angleze nuk lejojnë përdorimin e gajdes në luftë, Bill Millini i përgjigjet se ai ishte skocez.
Hodhi pushkën krahëqafë dhe nisi t’i bjerë gajdes mu aty ku ra në uj; (madje iu lag edhe gajdja dhe notat e para nuk ishin fort t; mira). Pas hutimit të parë, të shtënat filluan nga përsëri duke masakruar e përgjysmuar forcat aleate qe nuk kishin ku te mbroheshin.
Rreth 20 vetë nga të kompanisë së Billit u vranë mu pranë tij. Deti u skuq dhe atij do t’i kujtohet deri në fund të jetës se si eci i përskuqur deri në brez nga gjaku i vëllezërve të tij të armëve.
Arsyeja përse u vranë thuajse të gjithë ata që ishin me të dhe ai jo, do të merret vesh më vonë. Ishte një snajperist gjerman, nga ata që do të zihen robër, i cili tregoi më pas se ai e kishte vënë disa herë në shënjestër Bill Millinin, por nuk kishte qëlluar sepse e kishte marrë për të çmendur …