Galatasaray dëshiron ta blejë Rashicën
Klubi turk i Galatasarayt është i vendosur ta mbajë sa më gjatë Milot Rashicën. Ylli kosovar është huazuar në klubin turk nga Norwichit për një vit pasi ky klub ra në nivelin e dytë të futbollit anglez.
Sipas medieve turke, klubi nga Stambolli synon ta blejë kartonin e 26 vjeçarit pas paraqitjeve të tij pozitive në ndeshjet e fundit.
Norwichi e kishte transferuar në “Carrow Road” përfaqësuesin kosovar në verën e vitit të kaluar nga Werder Bremeni për afro 10 milionë euro. Mirëpo, eksperienca e vushtrriasit në Angli duket se ka marrë fund shpejt pasi ai mund të bëhet lojtar i Galatasarayt, nëse klubet merren vesh për transferimin e tij.
Pas vështirësive që i pati në fillim me jetën e re në Turqi, ku i luajti veç 8 minuta në muajin e tij të parë, Rashica impresionoi në fitoren 7:0 ndaj Kastamonu në Kupën e Turqisë, duke realizuar edhe gol, ndërsa asistoi në fitoren e së premtes 2:0 ndaj Karagumruk.
Ai pritet të startojë nga minuta e parë në derbin e së shtunës ndaj Besiktasit pasi e ka bindur trajnerin Okan Buruk, i cili tash po e kërkon edhe qëndrimin e Rashicës në Stamboll për një kohë të gjatë. Miloti ka kontratë me Norwichin deri në verën e vitit 2025, por nëse klubi anglez nuk rikthehet në Premierligë, Rashica nuk do të pranojë të rikthehet aty.
Ai do ta pëlqente një qëndrim në Galatasaray, ku do ta kishte mundësinë të luajë edhe në Ligën e Kampionëve në vitet në vazhdim.