Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës, raporton ‘AFP’
Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës, kështu ka bërë me dije për agjencinë e lajmeve France-Presse (AFP), Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi të Afrikës Perëndimore.
“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, i tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Charles Owiredu, agjencisë AFP. Ai ka thënë se arsyet e tërheqjes së njohjes i janë komunikuar edhe Serbisë. “Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i parakohshëm”, thuhet në njoftimin e autoriteteve të Ganës. “Gana e ka marrë parasysh dialogun midis Serbisë dhe Kosovës që synon zgjidhjen e çështjes”, është thënë në njoftim.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar të hënën se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar opinionin se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb, Ivica Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.
“Republika e Kosovës është njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së përfshirë këtu edhe Republikën e Ganës. Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim të rregullt me ambasadat e Ganës në qendra të ndryshme të botës, dhe asnjëra prej tyre nuk kane asnjë informacion ne lidhje me pretendimin e ministrit serb. Është e habitshme se si disa media, edhe në Kosovë, transmetojnë të pavërteta të servuara nga institucionet e Serbisë dhe përmes ‘fake news’ domosdo i shkaktojnë dëm Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është thënë në njoftimin e MPJ-së.
Sipas këtij njoftimi të MPJ-së “gazetarët kanë kapacitet për të kuptuar seriozitetin e shtetit dhe betejat diplomatike me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, andaj në këtë pikë duhet të tregohen shumë më të kujdesshëm dhe më profesionistë në mënyrë që të mos bien pre e propagandës serbe e cila nga Beogradi zyrtar prezantohet si lajm”.
“Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdorë Daçiq me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjitha mediat në Kosovë dhe jashtë saj që të verifikojnë më shumë se njëherë secilin lajm për Kosovën i cili prodhohet në Serbi, duke e ditur mirëfilli se pas krimeve kundër njerëzimit, përpjekjeve për të kryer gjenocidin dhe për ta shndërruar Kosovën në tokë të djegur, Beogradit zyrtar tashti qëllim esencial ka mohimin e shtetësisë së Kosovës”, është theksuar në njoftimin e MPJ-së.