Gani Dreshaj nuk e pranon rezultatin në Istog, kërkon rinumërim të votave
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, ka reaguar pas numërimit të votave me kusht dhe postë për të parin e kësaj komune, ku kundërkandidati i tij nga LDK-ja, Haki Rugova ka dalë fitues me vetëm 14 vota epërsi.
Dreshaj ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat, pasi dyshon në manipulimin e tyre nga LDK-ja.
“Istogu dy herë ka votuar për fitoren tonë. Një herë lejuam që të na vidhet fitorja, më kjo nuk do të tolerohet. Rezultatet që KQZ-ja i nxori sot janë tërësisht të papranueshme dhe mënyra se si vepron KQZ-ja, është skandaloze. Mbrëmë Istogu festoi çlirimin e dytë nga bandat e LDK-së pas rezultateve zyrtare tonat që ishin të konfirmuara edhe në faqen e KQZ-së. Sot, presioni i LDK-së bëri që rezultatet të ndërrohen pa asnjë shpjegim, madje KQZ-ja nuk pati asnjë kërkim falje për ‘gabimet’ që thanë se i kanë bërë. Kërkoj rinumërimin e të gjitha votave, të gjitha kutive, ngase fitorja është e jona dhe e tillë do të mbetet”, ka shkruar Dreshaj në llogarinë e vet në “Facebook”.