Gani Dreshaj: Partitë opozitare t’i japin pa kushte votën Qeverisë me kryeministër Albin Kurtin
Ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se duke parë se vendi është në prag të krijimit të një qeverie të re, ka kërkuar që unanimisht të gjitha partitë opozitare t’i japin pa kushte votën Qeverisë me kryeministër, Albin Kurtin.
“Është sovrani ai që ka zgjedhur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje si mandatare për krijimin e qeverisë, andaj kjo zgjedhje duhet respektuar edhe nga deputetët, që po ashtu janë zgjedhur nga populli. Shpresoj që qeveria e re të mbajë shumicën e premtimeve të dhëna dhe përfituesi më i madh të jetë vetë populli”, ka shkruar Dreshaj.
Ai ka theksuar se do të ishte e shëndetshme për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur që Qeveria e re të votohej nga të gjitha partitë shqiptare, duke mos qenë pjesë e kushteve e shantazheve nga Lista Serbe.
“Personalisht, i uroj Albin Kurtit punë të mbarë e qeverisje në dobi të popullit”, ka shkruar ish-deputeti Dreshaj.
/Epoka e re/