Gani Dreshaj: Shpresoj që Hakiu mos të emocionohet si Gazi
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, ka reaguar për qeverisjen në Komunën e Istogut.
Dreshaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se përçarjet e fundit në Komunën e Istogut po shpalosin skandale që asnjëri nga ne nuk do të donim t’i dëgjonim, aq më pak t’i dinim që kanë ndodhur në komunën tonë.
“Nuk mund të ketë rezultate, prosperitet, perspektiv e punë në një ambient ku drejtorët nuk guxojnë të futen me muaj në zyrët e tyre, për shkak të kërcënimeve. Këto situata tashmë i din secili në Istog, madje edhe qytetarët”, ka shkruar Dreshaj.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Istogut. Ndjej shqetësimin e juaj për ngjarjet e fundit që po ndodhin në komunën tonë.
Përçarjet e fundit në komunën e Istogut po shpalosin skandale që asnjëri nga ne nuk do të donim t’i dëgjonim, aq më pak t’i dinim që kanë ndodhur në komunën tonë.
Kësaj që po ndodhë në komunën e Istogut, i thonë humbje e udhës në oborr. E kjo po i ngjanë kryetarit aktual Rugova.
Nuk mund të ketë rezultate, prosperitet, perspektiv e punë në një ambient ku drejtorët nuk guxojnë të futen me muaj në zyrët e tyre, për shkak të kërcënimeve. Këto situata tashmë i din secili në Istog, madje edhe qytetarët.
Andaj, për të mos vuajtur qytetari nga kjo situatë, e lus kryetarin Rugova që të bëjë zgjedhjen më të mirë, e cila mbase mund të ishte dorëheqja e tij.
Një fjalë tjetër e popullit thotë se “çka ka shpija e qet fëmija”, e në këtë rast janë njerëzit më të afërt të kryetarit që kanë shpalosur dallaveret që po ngulfatin me vite këtë komunë.
Asgjë në Istog nuk po funksionon, andaj largohuni për të mirën e qytetarëve tuaj.
Shpresoj që Hakiu mos të emocionohet si Gazi, sepse në situata të tilla unë tërhiqem!
G.D