Gani Geci pajton Don Xhonin dhe Stresin
Pas tensioneve dhe përplasjeve virtuale mes dy reperëve të njohur, Stresi dhe Don Xhoni, duket se mes tyre është rikthyer paqja. Ish-deputeti Gani Geci ka luajtur një rol kyç në këtë pajtim, duke i mbledhur të dy artistët në kullën e tij në Llaushë.
Geci ndau këtë moment në një postim në Facebook, ku publikoi një fotografi përkrah dy reperëve dhe konfirmoi arritjen e pajtimit. Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e unitetit mes shqiptarëve dhe rëndësinë e tejkalimit të konflikteve.
“Të dashur miq, sonte në kullën tonë në Llaushë ishin mysafirë dy artistë të mëdhenj të muzikës rep: Stresi – Arkimed Lushaj nga Shqipëria dhe Don Xhoni nga Kosova. Motoja e të djathtëve shqiptarë është: ‘Jemi pak për t’u ndarë, jemi pak për t’u përçarë, jemi pak për t’u sharë me njëri-tjetrin.’ Shqipëri dhe Kosovë jemi një dhe gjithmonë do të jemi një. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë Kosovën!”, shkroi ai.
Geci gjithashtu bëri të ditur se reperët kanë shtrënguar duart dhe janë zotuar se do të rikthejnë miqësinë që kishin më parë.
Ky pajtim ka gëzuar fansat e të dy artistëve, të cilët shpesh i kanë ndjekur përmes rivaliteteve të tyre në industrinë muzikore. Mesazhi i unitetit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, është theksuar si një shembull frymëzues për tejkalimin e ndarjeve dhe bashkimin e energjive për të mirën e përbashkët.
Përkrahësit e muzikës rep tani mund të shijojnë muzikën e Stresit dhe Don Xhonit, pa ndonjë tension apo përçarje mes tyre.