GANIMETE DHE MIFTAR HAJDARI, DY NGA 1392 FËMIJËT VIKTIMA TË GJENOCIDIT SERB NË KOSOVË

23 nëntor 2020 | 12:44

Intervistë me artistin figurativ Bedri Kadriu

Lulëzim ETEMAJ

Motër e vëlla, Ganimetja, e lindur më 6 korrik 1984, dhe Miftari, i lindur më 15 dhjetor 1988, janë dy nga 1392 fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit serb në Kosovë. Ata ishin fëmijët e vetëm të prindërve Bashkim dhe Kadrie Hajdari. Në ditën kur u vranë, 6 prill 1999, është plagosur edhe nëna e tyre. Ajo i ka mbijetuar plagët. Jo vetëm për të vuajtur gjithë jetën, si mijëra nëna dhe baballarë të tjerë shqiptarë, shkaku i vrasjës së engjujve të tyre, por edhe për të dëshmuar për krimet e kryera nga ana e shtetit serb, në raport me shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dëshmia e saj duhet të regjistrohet e ruhet. Së bashku me mijëra dëshmi e fakte tjera, ajo duhet të shërbejë si bazë për ndriçimin dhe njohjen ndërkombëtare të gjenocidit serb dhe për kallëzim penal ndaj Serbisë.
1392 fëmijët e vrarë meritojnë drejtësi! Drejtësia për ta nuk duhet të mungojë edhe më tutje!

Ganimetes dhe Miftarit u është ngritur këto ditë një monument kujtimi në shkollën e fshatit, ku ata vijonin mësimet, njëri në klasën e 8-të, ndërsa tjetri në atë të 4-të. Autor i tij është artisti figurativ Bedri Kadriu.
“Kujtimi i vazhdueshëm i këtyre dy nxënësve të pafajshëm, të vrarë nga dora e serbit vetëm pse ishin shqiptarë”, ishte përgjigja e Kadriut, gjatë intervistës së zhvilluar me të për gazetën “Epoka e re”, mbi mesazhin që bartë në vete kjo vepër arti.

No description available.

“Epoka e re”: Zotëri Kadriu, ju këto ditë i kthyet sërish në shkollën “Sheqë Mirofci” në Shtedim të Besianës, fëmijët, motër e vëlla, Ganimete (14 vjeç) dhe Miftar Hajdari (10 vjeç). Veçëse kësaj here kthimi i tyre u bë në bronz. Çfarë mund të na thuani ju lutem për rrethanat e vrasjës së tyre?
Bedri Kadriu: Më datën 17 nëntor 2020 kam realizuar këtë skulpturë, si monument përkujtimor, dedikuar këtyre fëmijëve të rënë gjatë luftës në Kosovë. Skulptura është e para e këtij lloji në vend, e realizuar përgjithësisht për fëmijët shqiptarë, viktima të gjenocidit serb.
Ndjehem më fat që ia arrita t’i kthej në shkollë në formë artistike, të derdhur në bronz, që të zënë vend dhe të mbesin përgjithmonë në kujtimet e secilit nxënës, brez pas brezi. Dhe jo vetëm.
Këta dy fëmijë janë vrarë pas granatimeve që u janë bërë nga forcat serbe popullatës civile shqiptare, kryesisht gra, pleq, fëmijë, në fshatin Shamalluk të Besianës. Fillimisht është vrarë Miftari, më pastaj e motra, Ganimetja. Nëna e tyre i ka mbijetur plagët e marrura me këtë rast.
Si iniciativa ashtu dhe projekti për memorialin ka qenë i imi. Financimi është bërë nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

“Epoka e re”: Sa e bukur buzëqeshja e tyre, sadoqë e ngrirë! Si artist, anipse nuk është e preferueshme interpretimi i veprave personale, a na thuani ju lutem, se cili është mesazhi i veprës suaj, përtej buzëqeshjes së tyre engjullore dhe librit që Ganimetja e bart në duar?
Bedri Kadriu: Mesazhi i monumentit është kujtimi i vazhdueshëm i këtyre dy nxënësve të pafajshëm, të vrarë nga dora e serbit vetëm se ishin shqiptarë. Buzëqeshja përçon mesazhin e dashurisë së tyre si dhe të çdo fëmiu për jetën, për ta jetuar atë të lirë e të buzëqeshur, pranë moshatarëve, që ndjekun mësimet dhe pajisen me dituri për të ardhmen. Kurse libri, të cilin e bartë Ganimetja, kuptohet, përçon mesazhin e përkushtimit dhe dashurisë ndaj dijës, shkollimit, i cili hap horizonte të reja jetësore. Të veshur njësoj, ata na flasin se sa të afërt ishin mes vete, sa të gëzuar e të sigurtë krah njëri-tjetrit, si në jetë ashtu dhe në vdekje. Të mos harrojmë, Ganimetja është plagosur dhe ka vdekur me vëllanë e marrë në gjoks, pasi ai ishte vrarë paraprakisht.

No description available.

“Epoka e re”: Ganimetja dhe Miftari, e thamë, janë dy nga 1392 fëmijët viktima të krimit gjenocidar serb në Kosovë. Çfarë mendoni ju se duhet të bëjë për këta fëmijë shteti i Kosovës?
Bedri Kadriu: Ashtu si Ganimetja dhe Miftari, edhe 1390 fëmijët tjerë janë fëmijë të pafajshëm, të privuar pafajësisht nga jeta, të ndarë poashtu pafajësisht nga fëmijët tjerë, prindërit e tyre, rrethi, vendi i tyre. Shteti duhet të punojë shumë, të ndriçojë rrethanat e vrasjes radhë më radhë të çdonjërit prej tyre. Ata meritojnë drejtësi. E, ajo mungon ende, përderisa nuk ka padi nga shteti i Kosovës, as për kryerësit e krimit, as për planifikuesit dhe urdhërdhënësin, shtetin serb.
Një monument i përbashkët për të gjithë këta fëmijë është më se i domosdoshëm. Shteti i Kosovës e ka në themelet e tij edhe gjakun e këtyre filizave. Ata, por edhe familjet e tyre, meritojnë më shumë vëmendje dhe kujdes, si nga shteti ashtu dhe nga çdo qytetar.
Mbetet detyrë e ne artistëve të realizojmë vepra arti, të fushave dhe gjinive të ndryshme, kushtuar shqiptarëve, të të gjitha moshave, të rënë në luftë, përfshirë domosdoshmërisht edhe viktimat e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë, duke filluar nga filmi, teatri, piktura, skulptura, letërsia, muzika.

Dëshmo, për të mos harruar!

Denoncoje Serbinë!

https://kosovogenocide.com

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane u mbyll dyert të…