Gantz thotë se Izraeli duhet ta zhvendosë fokusin ushtarak në Liban
Ish-anëtari i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka thënë se Izraeli duhet ta zhvendosë fokusin drejt Hezbollahut, në kufirin e Libanit, duke paralajmëruar që “jemi vonë në këtë pikë”.
Izraeli dhe Hezbollahu, grup që përkrahet nga Irani, kanë këmbyer sulme kufitare gati çdo ditë.
Grupi militant pretendon se po vepron në shenjë solidariteti me aleatin palestinez, Hamasin, që po lufton me Izraelin në Gazë.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Ne kemi mjaftueshëm forca për t’u përballur me Gazën dhe duhet të koncentrohemi në atë që po ndodh në veri”, ka thënë Gantz, duke folur në Uashington në një forum për Lindjen e Mesme.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron te Irani dhe rrjetëzimet e veta.
“Koha për veriun ka ardhur dhe besoj që jemi vonë në këtë pikë”, ka thënë ish-shefi i ushtrisë.
Gantz beson se Izraeli ka bërë gabim kur ka zhvendosur banorët prej pjesës veriore të shtetit, pas nisjes së armiqësive me Hezbollahun, të nxitura nga lufta e nisur në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.
“Në Gazë, kemi arritur në pikën vendimtare të fushatës”, ka thënë ai.
“Ne mund të kryejmë gjithçka që duam në Gazë”.
“Ne duhet të synojmë arritjen e një marrëveshjeje për nxjerrje të pengjeve, mirëpo nëse nuk mund ta arrijmë atë brenda ditësh apo javësh, ne duhet të synojmë veriun”, ka thënë ai.
Gantz është larguar prej Qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në qershor, për shkak se ajo nuk ka një plan për Gazën, pasi të përfundojë lufta.
Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit në tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.
Sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gazë kanë lënë mbi 40.000 palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. /REL/