GAP-i: Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë import-eksport
Instituti GAP, ka vlerësuar se Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë të importit dhe eksportit.
Përmes disa grafikave të publikuara në rrjetin social “Facebook”, GAP-i ka thënë se për çdo euro të eksportuar importohen rreth 6.5 euro.
“Në Ballkanin Perëndimor, Kosova vazhdon të jetë shteti me raportin më të pabarabartë import-eksport. Për çdo euro të eksportuar, ne importojmë rreth 6.5 euro. Megjithëse krahasuar me vitet e mëparshme vërehet një përmirësim në këtë aspekt”, është thënë nga GAP-i.
Sipas GAP, për këtë arsye s’po zhvillohet as sektori industrial.
“Ndër tjera, niveli i lartë i importeve dhe ai i ulët i eksporteve reflekton mos zhvillimin e sektorit industrial në Kosovë”.
Më 22 shtator të 2023-së, Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2023.
Sipas të dhënave të ASK-së, eksporti i mallrave në muajin gusht 2023 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 523,1 milionë euro dhe se kjo paraqet një rënie prej 20,7% për eksport, si dhe 0.7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Ndërsa në korrik të 2022-së, ishin publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2022, ku ishte bërë e ditur se deficiti tregtar është rritur për 30.5 për qind krahasuar me vitin e kaluar, pasi është rritur edhe importi.