Gara për kryetarin e ri të LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), aktualisht partia më e madhe opozitare, është edhe më e zëshmja kur është në pyetje kundërshtimi i politikave qeverisëse në vend.
Po ashtu, LDK-ja në disa raste, të paktën deklarativisht ka kërkuar që vendi sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke kontestuar legjitimitetin e Qeverisë aktuale, e cila udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Përderisa është e zëshme në kërkesën për zgjedhje, LDK-ja nuk ka në plan që të thërras ndonjë proces të shpejtë për zgjedhje brenda partiake.
Analistët politikë parashikojnë një garë më të ashpër zgjedhore brenda këtij subjekti politik, ndërkohë që zyrtarët e LDK-së po presin që procesi të zhvillohet sipas kalendarit partiak.
Zgjedhjet për kryetarin dhe organet drejtuese të partisë, pritet të mbahen në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Kështu kanë thënë drejtues të LDK-së, sipas të cilëve, ka një koordinim të mirë të udhëheqësve dhe se nuk është e nevojshme që këto zgjedhje të mbahen më herët sesa në kohën e paraparë.
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka asnjë arsye që ky proces të përshpejtohet.
“LDK-ja e ka kryetarin, Isa Mustafa, i cili në koordinim me nënkryetarët, po funksionon mjaft mirë. LDK e ka kalendarin zgjedhor, i cili fillon në maj dhe deri atëherë mos t’i shkon mendja dikujt që ka zgjedhje të brendshme. Tradicionalisht, LDK-ja i ka respektuar afatet dhe kalendarin zgjedhor”, ka thënë Haziri.
Ngjashëm si nënkryetari Haziri mendon edhe deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.
Ai për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se gjithçka po funksionon sipas planit në partinë e tyre, duke shtuar se shumë shpejt do të njoftojnë për datën e saktë të zgjedhjeve të brendshme.
Sipas tij, fokus kryesor i tyre, është t’ia shkurtojnë jetën kësaj Qeverie, e pastaj të mbajnë zgjedhjet brenda partisë.
“Aktualisht ajo që mund të them është që organet e partisë, që të gjitha, funksionojnë pa asnjë problem. Po ashtu edhe kryetari i partisë zotëri Mustafa, po e kryen punën e tij përkundër disa kufizimeve që ende i ka. Kryesia e LDK-së, kryetarët e degëve dhe të gjitha forumet e partisë funksionojnë normalisht. Sidoqoftë me kohë, LDK-ja do të marrë qëndrim edhe për kohën, gjegjësisht datën, caktimin eventual të datës së zgjedhjeve partiake”, ka thënë Beqiri.
Në janar të këtij viti, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ishte dërguar në Gjermani për shërim pasi që kishte komplikime shëndetësore. Mustafa vazhdon ta drejtojë LDK-në, por sipas parashikimeve, arsyet shëndetësore mund të shtyjnë atë që të mos rikandidojë për postin e kryetarit, duke hapur kështu mundësinë për kandidatura të reja.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme.
Për “Radion Evropa e Lirë”, Muhaxhiri ka thënë se duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të kryetarit Isa Mustafa, LDK-ja aktualisht është duke funksionuar pa kryetar.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore të kryetarit Mustafa, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka të obliguar që të gjejë një mënyrë tjetër të funksionimit sepse kështu si është aktualisht ajo, de jure e ka kryetarin, mirëpo de fakto nuk e ka”, ka thënë Muhaxhiri.
Lutfi Haziri, Vjosa Osmani dhe kryetari i Podujevës, Agim Veliu, sipas Artan Muhaxhirit, janë emrat potencialë që do të mund të zëvendësonin kryetarin e tanishëm, Isa Mustafa.
Madje sipas tij, gara do të jetë e ashpër, pasi të qenit kryetar i partisë, ofron privilegje të tjera.
“Unë nuk pres që do të jetë një garë e lehtë, përkundrazi mendoj se ashpërsimi i gjuhës edhe i qëndrimeve do të rritet me afrimin e datës së zgjedhjeve sepse LDK-ja është në pozitë shumë të mirë elektorale aktualisht edhe fituesi i garës për kryetar të LDK-së e ka të garantuar një post të rëndësishëm. Në fakt, posti i kryetarit të partisë e nënkupton postin e një kandidati potencial për kryeministër”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se është ende herët të flitet për ndonjë emër konkret se kush do të merrte udhëheqjen e partisë.
“Sigurisht që në opinion kanë qenë disa pse jo edhe ambicie të shprehura nga disa prej anëtarëve të LDK-së, qoftë struktura edhe më të larta, por edhe të tjerë, por ne e kemi marrë si shumë normale që të ketë pretendent eventualisht, por konsiderojmë që është ende herët”, ka thënë Beqiri.
LDK-ja njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së Rugovës, postin e kryetarit të LDK-së e kishte fituar Fatmir Sejdiu, duke u pasuar nga Isa Mustafa.