Gara: Rreth 700 mijë udhëtarëve iu pamundësuan fluturimet, presim dritën jeshile për fluturimet në ardhje
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka bërë me dije se si pasojë e pandemisë Covid-19 rreth 700 mijë udhëtarëve u është pamundësuar fluturimi.
Gjatë një konference për media, Gara ka thënë se Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” ka pasur humbje si pasojë e pandemisë Covid-19, por pavarësisht kësaj, ajo ka thënë se të gjithë punonjësit kanë marrë pagat.
“Siç e dini prioritet i yni është siguria, prandaj edhe në bazë të rekomandimeve të Agjencisë së Aviacionit kemi përgatitur udhëzimet sa i përket procesimit të udhëtarëve dhe fluturimeve. Deri më tani kemi pasur një ndikim në numër të udhëtarëve ku rreth 700 mijë udhëtarëve iu është pamundësuar që të procedojnë apo kryejnë fluturimet e tyre gjë që ka ndikuar po ashtu në numrin e fluturimeve, jo vetëm të udhëtarëve. Siç e dini nga virusi Covid-19 të gjitha industritë kanë pësuar apo kanë pasur ndikime negative në operimet e tyre”, ka deklaruar Gara.
Ajo ka folur edhe për mënyrën e operimit gjatë kohës së pandemisë. “Ne si Aeroport kemi qenë gjithmonë të hapur edhe gjatë pandemisë, por për shkak të vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pasur shumë pak patëm realizime të fluturimeve gjatë kësaj kohe. ‘Eurowings’, ‘Swissinternacional’ dhe kompani të tjera kanë shprehur interesim që të fillojnë linjat nga muaji korrik, në rast se do të kemi një vendim të shpejtë për hapjen e flurimeve edhe në arritjen e udhëtarëve atëherë do të nisin fluturimet. Në kuadër të masave kemi dezinfektuar objektet, automjetet dhe hapësirat që shfrytëzohen nga udhëtarët”, u shpreh ajo.
(A. M / Epoka e re)