Garat mund të vazhdojnë në të gjitha sportet
Shumë prej sportistëve në vend tashmë janë kthyer në stërvitje, duke u bazuar në një letër të Komitetit Olimpik të Kosovës. Ndërkohë të hënën pasdite është zyrtarizuar vendimi që lejon kthimin e aktiviteteve në sportet tjera.
Ministria e Shëndetësisë muajin e kaluar kishte marrë vendim për rifillim të Superligës së Kosovës në futboll, por kishte mbetur e paqartë çështja e sporteve tjera. Madje ishte lënë të kuptohet se për sportet tjera nuk ka leje.
Por më pas KOK-u kishte lëshuar një njoftim ku lejonte kthimin në aktivitete, duke marrë përsipër federatat, klubet dhe sportistët respektimin e masave.
Të hënën janë takuar Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Në takim ishin edhe Naser Ramadani nga IKSHPK-ja, Besim Hasani nga KOK-u dhe Ibër Alaj nga Departamenti i Sportit. Në takim është vendosur që në stërvitje mund të kthehen të gjitha klubet nëse me shkrim trajnerët, sportistët, zyrtarët e tjerë dhe prindërit marrin përgjegjësinë për zbatimin strikt të udhëzimeve të OBSH-së, udhëzimeve të IKSHPK-së, manualit të MSH-së dhe instruksionet e federatave ndërkombëtare.
Federatat dhe MKRS-së e kanë përgjegjësinë për të vizituar klubet për mbikëqyrje të zbatimit të përgjegjësive.
Mbikëqyrësit e objekteve sportive publike dhe private e kanë përgjegjësinë për dezinfektimin e hapësirave ku luhet e po ashtu korridoret, zhveshtoret, tualetet dhe hapësirat tjera.
Për fillim të garave, federatat në bashkëpunim me klubet marrin përgjegjësinë për përcaktimin e kohës optimale dhe për zbatimin e udhëzimeve.
“Secila federatë sportive e Kosovës duhet të bëjë kërkesë, përjashtuar ato që tashmë i kanë dërguar, dhe përshkrim të detajuar për masat e sigurisë dhe të njëjtën ta dërgojë në MKRS dhe KOK. Pastaj këto dy institucione në bashkëpunim me MSH dhe IKSHPK marrin vendimin përfundimtar bazuar në rrethanat e sigurisë për çdo federatë veç e veç”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.