Garë e nxehtë për balotazhin

10 nëntor 2021 | 10:53

Partitë politike kanë hapur fushatën zgjedhore për raundin dytë të zgjedhjeve. Ditët e para të fushatës kanë treguar se gara për balotazhin pritet të jetë e nxehtë në shumicën e 21 komunave ku do të këtë zgjedhje këtë të diel.

Beteja më interesante do të jetë në qendrat e mëdha, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Podujevë dhe Gjakovë. Po aq interesante do të jetë gara për të fituar Vushtrrinë, Vitinë, Kamenicën, Shtimen dhe disa komuna tjera, ku diferenca në mes të kandidatëve është shumë e ngushtë.

Karakteristik e këtij balotazhi është se janë bërë shumë pak koalicione.

Ndonëse flitet për koalicione të fshehta, kandidatët për kryetar të komunave kanë thënë se preferojnë koalicionet me qytetarë.

Sekretari i përgjithshëm Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, iu ka dhënë një epitet bashkëpunimeve të balotazhit. “Balotazhi i zgjedhjeve lokale të këtij viti do të mbahet mend për koalicione të llojit: ‘secili me secilin dhe secili kundër secilit’”, ka shkruar Sherifi në profilin e vet në “Facebook”.

 Prishtina, kryebeteja

Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk e ka fituar asnjë komunë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, synim kryesor e ka fitoren në Prishtinë me kandidatin e saj Arben Vitia, i cili në raundin e parë ka marrë 42.54 për qind të votave.
Për të arritur këtë qëllim duhet mposhtur kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, i cili ka marrë  29.17 për qind të votave.

Të dy partitë energjitë kanë koncentruar në kryeqytet, ku liderët e LV-së dhe LDK-së kanë dalë në përkrahje të kandidatëve të tyre.

Madje, ditëve të fundit dy kandidatët nuk kanë kursyer as talljet dhe akuzat kundër njërit-tjetrit. Të paktën publikisht asnjëra palë nuk ka bërë koalicion me PDK-në, kandidati i secilës në raundin e parë ka marrë mbi 20 për qind të votave.

LDK-ja dhe LV-ja garë të njëjtë pritet të zhvillojnë në Podujevë.

Partia e Lumir Abdixhikut synon me çdo kusht ta rikthejë bastionin e saj politik, të cilin e kishte humbur qysh në ruanin e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të vitit 2020.

Këtu Ekrem Hyseni i LDK-së më 17 tetor ka marrë 44.20 për qind të votave, kurse Shpejtim Bulliqi i LV-së 44.16 për qind të votave.

As këtu deri më tani nuk është bërë me dije ndonjë koalicion.

Këto dy parti përballje jo aq interesante do të kenë edhe në Fushë-Kosovë, ku kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka marrë 49.72 për qind të votave, kurse kandidati i LV-së, Enver Bajçinca ka marrë 25.58 për qind të votave.

 PDK-ja synon kthimin e “Jerusalemit”

Pas Prishtinës, përballja më interesante pritet të zhvillohet në qytetin e Prizrenit.
Nëse për LV-në dhe LDK-në kryeqyteti është synimi kryesor për raundin e dytë, PDK-ja e sheh si jetike rikthimin e Komunës së Prizrenit, të cilin zyrtarët e kësaj partie vazhdimisht e kanë konsideruar si “Jerusalemi” i PDK-së.

Kryetari aktual, njëherësh kandidati i LV-së, Mytaher Haskuka ka marrë 40.41 për qind të votave, kurse, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj 31.36 për qind të votave.  Kjo do të jetë përballja e katër mes Haskukës dhe Totajt.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2017 kishte fituar Shaqir Totaj, ndërsa në raundin e dytë kishte fituar kandidati i LV-së, Mytaher Haskuka.

Ndryshe nga komunat tjera, kandidatët për kryetar të kësaj komune kanë bërë publike disa koalicione.

Haskuka ka njoftuar se ka bërë koalicion me disa parti të minoriteve. Ndërsa Totaj ka bërë koalicion me AAK-në dhe Nismën. LDK-ja, kandidati i secilës në këtë komunë ka dalë i treti, ka bërë me dije se nuk do të bëjnë koalicion me asnjërin kandidatë që janë në garë.

Në këtë rajon, PDK-ja do të shkojë në balotazh edhe në dy komuna tjera.

Në Dragash kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, në raundin e parë ka marrë 32.56 për qind të votave, kurse kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini 35.69 për qind të votave.

Gjithashtu PDK-ja synon ta rikthejë pushtetin në Malishevë.

Kandidati i kësaj partie, Isni Kilaj, ka marrë 28.82 për qind të votave, ndërsa Ekrem Kastrati i Nismës ka fituar 34.08 për qind të votave.

Komuna tjetër ku PDK-ja do të jetë në garë me LDK-në është Vushtrria.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ferit Idrizi, ka marrë 34.81 për qind të votave, kurse Xhafer Tahiri i LDK-së ka marrë 33.82 për qind të votave.

PDK-ja në balotazh është edhe në tri komuna.

Në Komunën e Drenasit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së, i cili në raundin e parë ka marrë 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Kaçaniku do të jetë në balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja, i cili në raundin e parë ka marrë 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LV-ja me 33.36 për qind të votave. Ndërsa, në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i LV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Përballja e LV-së dhe LDK-së për Anamoravën

Në komunat e rajonit të Anamoravës gara për balotazhin do të zhvillohet mes kandidatëve të LDK-së dhe LV-së.

Në raundin e parë, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni ka marrë 44,43 për qind të votave, duke u renditur para kandidati të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka marrë 43,81 për qind të votave.

Ky i fundit, të dielën do të synojë të jetë kryetar i kësaj komune për herë të pestë, ndërsa kandidati i LV-së, i cili është deputet synon ta merr pushtetin për herën e parë. Deri më tani, Haziri ka bërë koalicion me AAK-në, AKR-në, PD-në dhe Lëvizjen “Vatra”.

Këto dy parti garë mjaftë të nxehtë pritet të kenë edhe në Viti, komunë kjo e cila për disa mandate është udhëhequr nga LDK-ja.

Sipas rezultateve të KQZ-së, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti prinë me 41.30 për qind të votave, kurse kandidati i LV-së Arsim Ademi me 34.50 për qind të votave. Përveç Gjilani dhe Vitisë, garë interesante do të zhvillohet edhe për Kamenicën.

Këtu beteja do të jetë mes LV-së dhe PSD-së e cila vite më parë është larguar nga partia e Albin Kurtit. Kandidati i PSD-së, Qëndron Kastrati, renditet i pari me 32. 52 për qind të votave, kurse Kadri Rahimaj i LV-së ka 31.01 për qind të votave.

AAK-ja synon ta mbajë Gjakovën

Partia e Ramush Haradinaj, AAK-ja, synon që në balotazhin e 14 nëntorit ta mbajë pushtetin në disa komuna të rajonit të Dukagjinit.

Beteja kryesore e kësaj partie do të jetë vazhdimi i qeverisjes në Gjakovë me kandidatin Ardian Gjini, i cili më 17 tetor ka marrë 45.76 për qind të votave.

Rivalja e Gjinit do të jetë kandidatja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila që ka 37.20 për qind të votave. Gjini dhe Kusari-Lila janë përballur edhe në vitin 2017, vetëm se atëherë Kusari-Lila ishte si kandidate e partisë Alternativa.

Në rajonin e Dukagjinit, AAK-ja do të përballet edhe me kandidatët e LDK-së dhe PDK-së.
Në Junik kandidati i AAK-së, Agron Kuçit, ka marrë 45.19 për qind të votave, kurse Ruzhdi Shehu i LDK-së ka marrë 42.01 për qind të votave.

Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LV-së me 24.84 për qind të votave.

Kurse, në Komunën e Klinës në balotazh janë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.

Të dielën do të votohet edhe në komunën e Obiliqit, ku në garë janë Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin që ka 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçi të LV-së me 20.19 për qind të votave.

Komuna e Kllokotit gjithashtu shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Kurse, Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë partia e parë për nga numri i votave për kuvende komunale. Kjo parti ka marrë 170 134 vota për kuvendet komunale. Pas saj renditet Lëvizja Vetëvendosje me 168 084 vota, Partia Demokratike e Kosovës me 161 645 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 9 863 vota.

Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë më së shumti këshilltarë komunalë, nga 206 secila në tërë vendin.

LV-ja ka siguruar 193 ulëse në kuvendet komunale, AAK-ja do të ketë 120 asamblistë, Nisma në të gjithë vendin ka fituar 21 ulëse, kurse Aleanca Kosova e Re do të ketë vetëm 8 asamblistë.

Lista Serbe në komunat ku ka garuar do të ketë 147 këshilltarë komunalë.

Muhamet KOCI

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngjarja e radhës në kuadër të Javës Botërore të Ndërrmarrësisë…