Gashani përkujton motrën e vrarë në Abri të Epërme: S’ka pushuar dhembja për ty!

26 shtator 2024 | 12:49

Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka përkujtuar motren e tij, Mihane Gashani-Deliu, e vrarë në masakrën në Abri të Epërme.

Në një fjalim prekës, Gashani ka theksuar se edhe pas 26 vitesh, “fortunate nuk kanë pushuar këndej”.

Tutje, ai ka thënë se masakrën në Abri të Epërme “nuk e kemi harruar, e as nuk kemi flaur”.

Postimi i plotë:

Motër,

26 vjet kanë kaluar nga 26 shtatori 1998, por furtunat nuk kanë pushuar këndej.

Nuk ka pushuar as dhembja gërryese për ty, motër, për Valmirin, për Ademin, për krejt familjen e dashur Deliu.

As sytë tanë nuk kanë pushuar të derdhin lot për ju.

Nuk kemi harruar e as nuk kemi falur.

Nuk mund të harrojmë, sepse dhembja nuk njihka vite e dekada.

Nuk mund të falim, motër, sepse nuk na lejon cuclla e përgjakur e Valmirit.

Nuk mund të harrojmë e as të falim sepse nuk na lejon ora që punonte ende në dorën e Jeton Deliut edhe kur shpirti i tij kishte fluturuar.

Nuk mund të harrojmë e as të falim se nuk na lejon shkrumbi në buzët e fëmijëve të familjes Deliu dhe 1129 fëmijëve të vrarë brutalisht nga serbët.

Motër, neve na u kanë shtuar thinjat në flokë e rrudhat në fytyrë, por kujtimi për ju është i freskët.

Nuk ju harrojmë!

Kurrë!

P.S. Më 26 shtator 1998, serbët vranë brutalisht 23 anëtarë të familjes së gjerë Deliu. Motra jonë e madhe, Mihane Gashani Deliu (1970), u vra aty bashkë me bashkëshortin e saj dhe djalin e tyre të vetëm, Valmirin, 2 vjeç.

Video më poshtë është fjala ime në promovimin e librit ‘Vjeshtë e ngrime’ (2017), që e kemi shkruar bashkë me motrën time, poeteshën Naxhije A Gashani dhe që ia kemi kushtuar motrës sonë, familjes Deliu dhe gjithë familjeve që kanë humbur njerëz të dashur gjatë luftës së fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda gjermane, Lothar Matthaus beson se Vinicius Junior nuk e…