Gashani: Raportimet e qytetarëve për të shtënat me armë në ahengje janë rritur
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Blerim Gashani, ka bërë me dije se janë rritur raportimet e qytetarëve për të shtënat me armë në ahengje.
Këtë deklaratë Gashani, e ka bërë gjatë takimit të grupit për implementimin e Strategjisë dhe udhërrëfyesit rajonal për armë të vogla, të lehta dhe eksplozivë, të mbajtur të hënën në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit, theks i veçantë në këtë takim i është dhënë fushatës vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB-ja, e për të cilën zëvendësministri është shprehur se do të vazhdojë gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive.
“Ky takim pati theks të veçantë, fushatën vetëdijesuese: ‘Festo me zemër, jo me armë’ që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB-ja dhe me këtë rast zëvendësministri Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive. Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi kemi një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna, ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këtë takim është bërë edhe një vlerësim i përgjithshëm i të gjitha objektivave strategjike dhe zbatimit në praktikë të aktiviteteve që dalin nga Strategjia dhe udhërrëfyesi rajonal, si dhe është diskutuar edhe për sfidat e disa aktiviteteve tjera.