Gashi akuzon Vetëvendosjen: Dostave ua keni dhanë 240 milionë euro për 3 vjet
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion masiv.
Në seancën e sotme, ku po diskutohet për tenderët njëburimor të qeverisë, ai ka thënë se për këto tri vjet qeveria Kurti ua ka dhënë 240 milionë dostave.
“Na këtu po flasin për sistemin që keni nderuar ju. Sistemi i juaj i qeverisë është në vitin e parë dhe gjysmën e vitit të dytë, duke ndarë vetëm skema sociale, korrupsion masivi i keni kap krejt institucionet me 1805 kontrata njëburimore, ku i keni thirre dostat e juaj dhe ju keni thanë merri 10 milionë, 20 milionë dhe 30 milionë e kryeje naj punë”, ka thënë Gashi.
Ai ka kërkuar nga zyrtarët qeveritarë që të mos dalin nga tema për çka është thirrur seanca.
“Jemi t’u fol për nivelin qendror të prokurimit publik që e keni bërë ju, korrupsionin masiv në institucionet që ju kontrolloni. Flasim edhe për nivelin lokal, por niveli lokal i ka autoritet e vetat, aty përgjigjen ata. Prandaj, mos dilni jashtë teme, tema është prokurimi publik në nivel qendror ku i keni thirr dosat dhe ua keni dhanë 240 milionë euro për 3 vjet”, ka thënë Gashi.