Gashi: Besa nuk ka krizë, rikthehet në Superligë
Trajneri i Besës, Fisnik Gashi, e ka mohuar krizën në skuadrën pejane, kurse ka konfirmuar se kjo skuadër do të rikthehet në Superligën e Kosovës në futboll.
KF Besa e përfundoi sezonin vjeshtor në vendin e dytë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Trajneri i kësaj skuadre, Fisnik Gashi, të enjten për “Epokën e re” ka thënë se rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor nga skuadra e Besës kanë qenë të kënaqshme, kurse eliminimin nga gara e Kupës e ka arsyetuar me faktin se Besa ka synim vetëm rikthimin në Superligë. “Për edicionin vjeshtor mund të them se jam i kënaqur me atë që kemi treguar dhe arritur. Pas xhiros së katërt unë emërohem trajner dhe në dymbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara kemi regjistruar tetë fitore dhe katër barazime. Rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës sonë kanë qenë të mira, ku përfunduam në pozitën e dytë. Sa i përket eliminimit nga Kupa, ne si shtab teknik dhe kryesia e klubit nuk kemi qenë të interesuar të luftojmë në të dy frontet, pasi synimi i klubit është inkuadrimi në Superligë”, ka thënë Gashi.
Ish-mesfushori i suksesshëm me Besën e Pejës ishte edhe trajner i Lugut të Baranit. Ai nuk hezitoi të flasë edhe për konkurrentët kryesorë të Besës në garë për rikthim në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. “Si skuadra favorite për t’u rikthyer në elitë, përveç Besës, i shoh edhe Vushtrrinë, Vëllaznimin dhe Dukagjinin, por pa harruar edhe skuadrën e Vitisë e cila është cilësore. Rezultatet në sezonin vjeshtor konfirmojnë se edhe ky klub ka synime të mëdha në pranverë”, ka shtuar ai.
Ditë me parë është raportuar se Besa është duke kaluar nëpër një krizë dhe disa nga lojtarët kryesorë e kanë kërkuar shkëputjen e kontratës me këtë klub në Federatën e Futbollit të Kosovës. Gashi ka mohuar të ketë krizë në klubin pejan, kurse për largimin e futbollistëve mendon se janë normale si gjithkund në botë. “Nuk ka krizë te Besa dhe lojtarët që kanë kërkuar të largohen është normale në futbollin profesionist, pasi lojtarët mund të mos e gjejnë veten në një klub dhe kërkojnë angazhim te ndonjë klub tjetër”, ka shtuar ai.
I pyetur se a priten transferime në afatin kalimtar të janarit, Gashi është përgjigjur: “Sa iu përket transferimeve në muajin janar jemi në përcjellje të disa lojtarëve dhe besoj se para datës 10 janar do t’i finalizojmë marrëveshjet me ata lojtarë që kemi nevojë”. Skuadra e Besës që është ndër skuadrat me traditë në futbollin e Kosovës. Sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e dytë me 35 pikë, tri me pak se Vushtrria dhe dy më shumë se Dukagjini i Klinës.
/Veton ZYMBERI/