Gashi: Besa rikthehet në Superligë

12 janar 2020 | 12:37

Dugagjin Gashi për “Epokën e re” ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor nga Besa e Pejës per faktin se ato kanë mundur të jenë shumë më të mira, por “Dugi” beson se ky klub do të rikthehet në Superligë në edicionin e ardhshëm.

Mesfushori Dugagjin Gashi është optimist se skuadra e Besës së Pejës do të rikthehet në Superligë. Futbollisti me përvojë të madhe ka thënë për “Epokën e re” se do të ishte mëkat i madh nëse klubi pejan nuk e arrin të sigurojë inkuadrimin në IPKO Superligë në fund të këtij edicioni.

“Besoj se Besa në Superligë do të inkuadrohet pa problem sepse kemi një ekip stabil, por në pranverë duhet t’u qasemi ndeshjeve me një seriozitet shumë më të madh. Konkurrente kryesore do ta kemi Lirinë, por pa përjashtuar edhe Arbërinë dhe Malishevën. Do të ishte mëkat i madh nëse nuk arrijmë të inkuadrohemi në Superligë sepse jemi një klub me traditë të madhe në futbollin e Kosovës. Sivjet mobilizimi i klubit është mjaft i madh dhe të gjithë po besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë Gashi, i cili nuk është i kënaqur me rezultatet e sezonit vjeshtor të arritura nga skuadra e Besës.

“Me rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor nuk jemi të kënaqur aq shumë. E dimë që kemi mundur të kemi rezultate më të mira për faktin se kemi një ekip me përvojë. Kemi çaluar në disa ndeshje ku nuk është dashur të çalojmë”, ka shtuar ajo.

Më pas mesfushori i shumë klubeve në Kosovë ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai ka zbuluar se planifikon të pensionohet pas dy vjetëve, kurse do t’i mbushë 34 vjet. “Nuk kam vendosur asgjë, por do të luaj të paktën edhe dy vjet të tjera, pra deri në moshën 34-vjeçare. Momentalisht po ndihem shumë mirë fizikisht, por nuk do ta teproj shumë dhe, mbase, në moshën 34-vjeçare mund të pensionohem”, ka deklaruar Gashi.

Anëtari i Besës së Pejës ka luajtur edhe për Vëllaznimin, Drenicën, Feronikelin, Dukagjinin dhe Istogun. Ai ka zbuluar se dy gjërat që i kanë mbetur merak për kohën sa ishte në formën më të mirë janë: mospjesëmarrja e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe pagesat jo të larta për lojtarët nga ana e klubeve elitare. “Kam arritur shumë suksese në karrierën time futbollistike. Me Besën e Pejës e kam fituar tri herë titullin e kampiones dhe dy herë e kam fituar Kupën. Kam ndihmuar edhe klubet që të shpëtojnë nga rënia, por edhe të inkuadrohen në Superligë. Po ashtu, kam qenë edhe futbollist i Përfaqësueses, por më mbetet shumë merak se nuk ka qenë Kosova e pranuar në arenën ndërkombëtare. Edhe kushtet tash janë rregulluar dhe shumat që fitojnë futbollistët janë shumë të mëdha në krahasim me vitet e mëhershme kur ne futbollistë që jemi pjesë e Besës ishim në topformë. Krenohem me karrierën e ndritshëm”, ka përfunduar Gashi.

Skuadra e Besës sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e parë me 28 pikë, ku nga gjashtëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara arriti nëntë fitore, katër barazime dhe tri humbje.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Halil Geci, vëllai i ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës…