Gashi: Dje në Kuvend pati shkelje të rëndë kushtetuese

12 nëntor 2024 | 15:29

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë me dije se në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës është evidentuar një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale.

Ai ka thënë se shumica parlamentare, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe me Kushtetutën e Kosovës ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës.

“Ndryshimi i rendit të ditës nuk është realizuar sipas rregullores dhe nuk ka pasur votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim.
Ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës. Çdo veprim i Kuvendit që nuk respekton rregulloren dhe procedurat zyrtare shkel parimet e transparencës dhe sigurisë juridike për deputetët dhe qytetarët”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

Postimi i plotë i Gashit:

Njoftim për shkelje të rënda kushtetuese dhe procedurale në Kuvendin e Kosovës

Të nderuar qytetarë,

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, është evidentuar një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale. Në kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe me Kushtetutën e Kosovës, Kuvendi ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e bën të qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të përcaktuar qartë në nenin 53 të rregullores, e cila përfshin:
1. Propozimin dhe votimin për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës nga kryetarët e grupeve parlamentare ose të paktën gjashtë deputetë;
2. Mbështetjen nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re, apo procedura të tjera të veçanta për çështje urgjente.

Në këtë rast të veçantë, Kuvendi ishte thirrur për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025. Ndryshimi i rendit të ditës nuk është realizuar sipas rregullores dhe nuk ka pasur votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim.

Ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës. Çdo veprim i Kuvendit që nuk respekton rregulloren dhe procedurat zyrtare shkel parimet e transparencës dhe sigurisë juridike për deputetët dhe qytetarët.

Ky precedent rrezikon integritetin e procesit vendimmarrës dhe dobëson besimin e publikut në institucionet tona demokratike. Ndjekja e rreptë e ligjit dhe respektimi i procedurave janë themelore për të ruajtur një sistem të drejtë dhe funksional në Republikën e Kosovës.

Ne mbetemi të përkushtuar për të ndjekur këtë çështje dhe për të kërkuar që çdo vendim në Kuvendin e Kosovës të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren në fuqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, ishte pjesëmarrës në…