Gashi: Do të këtë pjesëmarrje më aktive në sport
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së aktiviteteve në kuadër të Javës Evropiane Sportive, të cilat organizohen nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës.
Ministri Gashi është shprehur i kënaqur që merr pjesë në ceremoninë e hapjes së këtyre aktiviteteve. “Federata e Sportit Universitar ka luajtur rol kyç për implementimin e strategjisë tonë të re të sportit e cila ka një objektivë të qartë në kuadër të objektivave tjera e cila ka të bëjë me masivizimin e sportit në Kosovë. Nga statistikat që kemi në Kosovë ka pjesëmarrje të ultë të qytetarëve në ngjarje sportive dhe kjo neve na bënë që ta ndryshojmë strategjinë e sportit në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje më aktive në sport. Ne duhet ta rrisim pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në ngjarje sportive dhe të sigurojmë pjesëmarrje të drejtpërdrejt në sport. Në bashkëpunim me Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës besojë që do ta rrisim përqindjen e pjesëmarrësve gjatë vitit 2019 në aktivitete sportive”, ka thënë Ministri Gashi.
Ndërkaq, presidenti i sportit universitar të Kroacisë, Zrinko Custonja, ka deklaruar: “Fuqia e sportit është gjuhë universale që i lidh të gjithë. Sporti ka fuqinë që ti bëjë njerëzit bashkë dhe ta bëjë komunitetin më të mirë. Kosova ka sportistë të mrekullueshëm dhe e ardhmja e sportit është e ndritur, mirëpo Kosova duhet të jetë më aktive”.
I pranishëm ishte edhe presidenti i Federatës Sportive Universitare të Shqipërisë, Besnik Veliu. Ky i fundit ka vlerësuar se Java Evropiane e Sportit pakufi përfshin të gjitha moshat dhe se është një jave sensibilizuese që duhet të përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë për një jetë më të shëndetshme.