Gashi e Ahmeti flasin për sigurinë në kryeqytet
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar të enjten Komunën e Prishtinës, ku u prit nga kryetari Shpend Ahmeti.
Gashi e Ahmeti kanë diskutuar për projekte të përbashkëta mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Prishtinës.
Në këtë takim theks i veçantë iu bashkëpunimit të Policisë së Kosovës dhe komunës së Prishtinës, sa i përket organizimit të trafikut gjatë sezonës së verës, ku ka më shumë ngarkesë të trafikut, për shkak edhe të ardhjes së mërgimtarëve.
Ministri Gashi me këtë rast ka shprehur gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të për avancimin e sigurisë në bashkësi, sidomos vëzhgimet afër shkollave, me qëllim të parandalimit të shitjes dhe përdorimit të dograve.
Ai ka thënë se janë shumë të rëndësishme edhe Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në raportimin e rasteve për sigurinë në komunitet.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka theksuar se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me MPB-në, sidomos në fazën e implementimit të ligjit për Prishtinën, për formën e organizimit të policisë komunale dhe për këtë është shumë e rëndësishme që të rregullohet sipas formave që organizohen kryeqytetet e rajonit.
Në këtë takim u bisedua edhe sa i përket projekteve për ndërtimin e objektit për prodhim të dokumenteve, për ndërtimin e tri stacioneve policore dhe përfshirjen e plotë të kamerave të Komunës së Prishtinës me Policinë e Kosovës, me qëllim rritjen e sigurisë në kryeqytet.
/Epoka e re/