Gashi e Berisha: Ndryshimi i kufijve sjell përkeqësim të situatës në Ballkan
Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Skender Gashi, është takuar me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në të dy shtetet shqiptare.
“Sot kam takuar ish-kryeministrin e Shqipërisë, lideri i parë shqiptar që bëri ndryshimet nga sistemi komunist në sistem demokratik në vitin 1991, dr. Sali Berisha. Takimi u zhvillua në nivel zyrtar dhe miqësor, rreth çështjes politike, ekonomike e sociale në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. po ashtu biseduam edhe rreth gjendjes politike në trojet shqiptare”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se me Berishën ka biseduar edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Gashi ka thënë se me Berishën janë pajtuar që ky proces të përfundojë pa prekjen e kufijve ekzistues të Kosovës.
“Biseduam edhe për proceset politike që po zhvillohen ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ky proces të mbyllet sa më parë dhe kufijtë të mbesin ashtu siç janë pranuar nga shtetet ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ndryshimi i kufijve sjell përkeqësim të situatës në Ballkan. Për mua ishte nder dhe kënaqësi e madhe ta takojë dhe të bisedojë me dr. Sali Berishën, i cili bisedat i bëri në mënyrë konstruktive dhe reale”, ka shkruar Gashi.
/Epoka e re/