Gashi e Majko bëjnë homazhe tek varrezat e vëllezërve Bytyqi në ShBA
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i shoqëruar nga ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, kanë takuar ish-pjesëtarët e batalionit “Atlantiku”, në hotelin prej nga ku ky batalion ishte nisur për të luftuar krah për krah bashkëkombësve në radhët e UÇK-së.
Gashi dhe Majko kanë biseduar me ish- pjesëtarët e “Atlantikut” për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe për tema që e preokupojnë diasporën shqiptare në ShBA.
Më pas, ata së bashku me prindërit e vëllezërve Bytyqi, janë nisur për të varrezat, për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre me homazhe shtetërore dhe me vendosje të kurorës me lule.
Babai i tre vëllezërve Bytyqi, Ahmet Bytyqi, ka falënderuar dy ministrat për vizitën dhe për nderimin e veprës së bijve të tij.
Ndërsa ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka thënë se vepra e tre vëllezërve Bytyqi nuk do të harrohet asnjëherë.
“Neve na mbetet të punojmë dhe të bëjmë trysni ndaj Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët përgjegjës të këtij krimi sa më shpejt, ndërsa veprën dhe sakrificën e tyre ta kujtojmë gjithmonë”, ka thënë Gashi.