Gashi: Epoka e dëshmorit Xhemajli Berisha sinjalizoi daljen e UÇK-së në skenë
Në 30-vjetorin e rënies, dëshmori Xhemajli Berisha është dekoruar me titullin “Hero i Kosovës” nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndërsa është mbajtur akademi përkujtimore nën patronazhin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, raporton Ekonomia Online.
Ministri Gashi tha se pa Lëvizjen Atdhetare për Çlirimin e Kosovës, nuk do të kishte as UÇK e as Pavarësi të Kosovës.
“Xhemajli Berisha, ai trim Kosove, student i shkëlqyer dhe krijues shumë i talentuar, në atë pranverën shqiptare të vitit 1981, sërish, si dikur Adem Demaçi me brezin e tij, po hapnin faqe të re të historisë së luftës për liri! Edhe, në epokën e lavdishme të Xhemajli Berishës dhe brezit të tij, i gjejmë, gjurmët, paralajmërimet e historisë për daljen në skenën e Lëvizjes sonë Kombëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gashi.
“…Pa Lëvizjen Atdhetare për çlirimin e Kosovës, pjesë e të cilës ishte edhe Dëshmori Xhemajli Berisha, nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës, nuk do të kishte çlirim të Kosovës, nuk do të kishte shtet të Kosovës. Ishte më tepër se idealist, ishte i vendosur që, deri në vdekje të mos tërhiqej nga betejat titanike për çlirimin e Kosovës, për idealin e shenjtë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sot, në këtë 30-vjetor të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit, Xhemajli Berisha, Kosova jonë, shteti i Kosovës, atdheu, që aq shumë e deshti ai dhe brezi i tij, është shtet i pavarur dhe i lirë”, tha Gashi.
Ministri Gashi tha se si klasë politike duhet të jenë akoma më të përgjegjshëm për Kosovën.
“Kosova, nga dita në ditë, po e forcon identitetin e saj, shtetëror, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në këtë përvjetor, sikur edhe në përvjetorët e dëshmorëve të të gjitha brezave, deri te epoka e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne të gjallët, përulemi para veprës së tyre heroike, atdhetare. Përulemi dhe betohemi se, çdo ditë dhe në çdo rrethanë do të punojmë dhe veprojmë në të mirë të shtetit tonë, të kombit mbarë! Gjithsesi, edhe, në këtë 20-vjetor të çlirimit të Kosovës, si klasë politike, si udhëheqës të shtetit tonë duhet të jemi akoma edhe më të përgjegjshëm. Sepse, mbi të gjitha, sot dhe nesër, është Kosova, është shteti ynë, liria, e cila, rrënjët i ka në gjakun e dëshmorëve, të rënëve, të të gjithë brezave dhe epokave shqiptare”, u shpreh Gashi.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se Xhemajliu rezistoi për ta parë Kosovën të lirë, ndërsa përmendi edhe vrasjen e tij dhe tentimet për ta bërë tu dukur si vetëvrasje.
“Xhemajli Berisha është ndër dëshmorët e parë të rezistencës së fundit. Në ballë të rezistencës gjithmonë ishin disa që dolën të parët. Në rezistencën e fundit ishte Xhemajli Berisha. Ai në atë botë nuk i dëgjoi ata që thoni se nuk duhet të bëhej rezistencë, që duhej të heshtin për ndryshimet. Ai rezistoi dhe për këtë ai e dha jetën. Në kohën kur shumë nuk guxonin të flisnin për rrezikun që i kanosej Kosovës, Xhemajli Berisha kishte guximin jo vetëm të fliste por edhe të rezistonte. Autoritetet e asaj kohe provuan ta bënin rastin si vetëvrasje, por doktori Halil Berisha nuk e pranoi këtë dhe për këtë ai e pësoi duke vdekur në rrethana të pasqaruara. Historia kur harrohet përsëritet, andaj nuk duhet të harrojmë dëshmorët”, u shpreh Haskuka.
Nexhmedin Berisha, vëllai i dëshmorit, tha se dekorata “Hero i Kosovës” e bënë krenarë tërë familjen e tij.
“Për dëshmorët nuk është e nevojshme të flasim shumë sepse ata me veprat e tyre bën shumë”, u shpreh ai.
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçit, Ismail Syla, i cili i dorëzoi vëllaut të dëshmorit Xhemajli Berisha, titullin “Hero i Kosovës”, tha se vetë fakti se për një muaj u nderuan dy kategori të personaliteteve të ndryshme tregon se në Kosovë sistemi i vlerave është duke rënë në vend të vet.
Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi, e përshkruajti Berishën si fëmijë dhe i ri i cili përveç guximit, lexonte shumë dhe ishte i përgatitur në çdo mënyrë.
“Xhemajli Berisha ishte figurë revolucionare e rëndësishëm. Përveç bibliotekës së tij të pasur shfrytëzonte edhe biblioteka të tjera. Xhema ishte i ndërgjegjshëm se veç guximit duhet edhe dituria dhe mendja e kthjellët për ta ruajtur sigurinë e rezistencës. Xhemajliu nuk e ruante veten”, tha ai.
Në emër Lëvizjes popullore, Selim Gashi, tha se pavarësisht se Xhemajliu ishte i vetëdijshëm për rrezikun nga veprimtaria e tij, nuk u ndal asnjëherë.
“Xhemajliu ishte shumë i gjerë në veprimtarinë e tij, ishte i vetëdijshëm për këtë por nuk u ndal deri në arrestimin e tij. UDBA-shët ushtruan të gjitha torturat, por Xhema më mirë të vdiste se të jepte emrat e shokëve të vet”, tha Gashi.