Gashi: Figura e Xhafer Devës duhet parë në gjithë dritëhijet e saj

08 shkurt 2022 | 12:25

Historiani i Ibrahim Gashi ka komentuar nismës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Deves.

Ai ka vlerësuar se restaurimi i shtëpisë dhe personaliteti i Xhafer Deves duhet parë ndaras, duke shtuar se ajo ndertës është një nga monumentet më të rëndësishme nga aspekti i kulturës urbane të qytetit të Mitrovicës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, ka thënë se figura e Xhafer Devës duhet parë në gjithë dritëhijet e saj.

Ai ka bërë me dije se Deva ishte një nacionalist dhe një antikomunist shqiptar për të cilin nuk ka asnjë provë që ka kryer vrasje të hebrenjve në Shqipëri apo në Kosovë. “Një ndjekës dhe vrasës i hebrenjve nuk do të mund të ngryste dy-tre deceniet e fundit të jetës së tij në vend si SHBA-të i pa dekonspiruar dhe i pandëshkuar. Duhet të gjurmojmë më shumë në dokumente arkivore. Për këtë ne historianëve na duhet më shumë mbështetje institucionale”, ka shkruar Gashi.

 

Postimi i plotë i Gashit:

Është me interes të themi dy fjalë për rastin e nismës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Deves dhe reagimet që shpërthyen në opinion. Restaurimi i shtëpisë dhe personaliteti i Xhafer Deves duhet parë ndaras. Godina e shtëpisë së Xhafer Deves është një nga monumentet më të rëndësishme nga aspekti i kulturës urbane të qytetit të Mitrovicës. Stili arkitektonik perëndimor dhe simbolika e objektit më monumental të qytetit e bëjnë të rëndësishme si projekt për restaurimin e të cilit duhet të investohet.

Sa i takon figurës së Xhafer Devës, atë duhet parë në gjithë dritëhijet e saj. Ai ishte një nacionalist dhe antikomunist shqiptar si edhe shumë figura tjera të krahut nacional-demokrat në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Nga një këndvështrim kritik historiografik, pa ndikime ideologjike, këtë figurë duhet trajtuar më shumë kujdes edhe për shkak të sentimentit që tashmë ka ngritur në rrethe të caktuara politike dhe akademike. Konsideroj se është e ngutshme dhe e pa argumentuar përpjekja për rehabilitimin e plotë të kësaj figure, pa pasur në dorë dokumente arkivore të proviniences perëndimore (amerikane).

Po ashtu, mund të cilësohet gabim insistimi për ta mbajtur figurën e Xhafer Deves të stigmatizuar nga historiografia socialiste, si një oficer mizor nazist që kreu krime kundër komunistëve dhe hebrenjve.

Nëse provojmë që interpretimin mbi këtë figurë ta kontekstualizojmë më vitet e jetës së tij pas luftës, një konstatim logjik, por ende i pa provuar shkencërisht, do të ishte se Xhafer Deva ishte një nacionalist dhe një antikomunist shqiptar që mund të ketë kryer vrasje të komunistëve, por nuk ka ndonjë provë se ka kryer vrasje të hebrenjve në Shqipëri apo në Kosovë, për faktin se një ndjekës dhe vrasës i hebrenjve nuk do të mund të ngryste dy-tre deceniet e fundit të jetës së tij në vend si SHBA-të i pa dekonspiruar dhe i pandëshkuar. Duhet të gjurmojmë më shumë në dokumente arkivore. Për këtë ne historianëve na duhet më shumë mbështetje institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se është i…