Gashi: Flamuri kuq e zi ishte besim, jetë, pavdekësi dhe shenjtëri
Në fjalën e tij para kuvendit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se rreth këtij flamuri të përbashkuar shqiptarët kanë qëndruar e triumfuar gjithmonë.
“Sepse ishim në të drejtën e tokën tonë. Të parët tanë ishin të parët e tokës dhe të qiellit tonë. Historia, gjuha e kultura e çdo shqiptari është NJË. Ndaj, gjithçka na bashkon, për asgjë askush nuk mund të na ndaj. Ne kemi të njëjtat figura kombëtare; kemi Skënderbeun e Nënën Terezë, Ismail Qemalin, Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, e shumë patriotë të tjerë”.
“Më lejoni që të ndaj me ju një ngjarje, e cila është vetë fati i shumë qytetarëve të Kosovës, dhe ka të bëj pikërisht me flamurin kuq e zi. Për këtë flamur, edhe babai im si shumë të tjerë në Kosovë, ka vuajtur në burgjet serbe. Një herë e një kohë, derisa qëndronim së bashku e kam pyetur se si ndihej gjatë qëndrimit të tij në burg?! Më ishte përgjigjur shkurt; për flamurin tonë, për flamurin kuq e zi, çdo sfidë tejkalohet, sado e madhe që mund të jetë ajo, tejkalohet. Sepse edhe Zoti e di që të zotë e kësaj toke janë shqiptarët, e flamuri i tyre është kuq e zi. Pra, ky flamur për të e paraardhësit tjerë ishte besim, ishte jetë, ishte pavdekësi, ishte shenjtëri. Ndaj, i tillë është për mua, e i tillë do të jetë edhe për fëmijët e mi”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se sot, jemi dy shtete, kemi dy qeveri dhe dy kuvende. “Mirëpo kemi një rrugë e një adresë njëdrejtimëshe; integrimin e plotë në familjen tonë natyrale, në familjen perëndimore. Kemi miqësi e partnerë të njëjtë; Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kemi flamurin kuq e zi që me të drejtë e me krenari valëvitet krah flamujve të tjerë në NATO, aty ku edhe aspirojmë që sa më parë t’ju bashkangjitemi”, është shprehur ai.
Gashi ka theksuar se Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare.
“Edhe pse një shtet i ri, me përkrahjen e miqve tanë ne kemi arritur që të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme, me institucione funksionale e konkurruese përtej rajonit. Kësisoj, edhe Parlamenti i Republikës së Kosovës ka shënuar sukseset e saja që nga themelimi e deri me tani”, ka pohuar Gashi.