Gashi i drejtohet deputetëve pas ‘përplasjes’: Të pavërtetat s’kanë me u lejuar
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka folur për përleshjen që ka ndodhur sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Gashi ka thënë se partitë politike janë duke tentuar të përfitojnë nga rasti për të fituar vota, duke shpifur ndaj kolegëve të tij dhe të qeverisë.
“Është e dhimbshme të shohësh si zhvillohet situata në atë formë nga tendenca për të fituar një votë aty apo këtu dhe për të akuzuar dhe shpifur pa ndalë ndaj kolegëve dhe qeverisë. Më vjen keq që kolegët tentojnë ta personalizojnë këtë çështje, është e turpshme. Këto tema janë të rënda, s’duhet të trajtohen kështu sepse të gjithë kanë histori personale, që kanë origjinë edhe në këtë Kuvend”, ka thënë Gashi.
Derisa kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci, i ka kërkuar që të flasë rreth rendit të ditës, Gashi ka kundërshtuar.
“E përmbylli kur të kryhen 10 minuta”, i ka thënë ai Nagavcit.
Më tutje, Gashi ka thënë se ka kërkuar nga deputetët e LDK-së që të mos flasin për historitë e tyre personale dhe familjare në Kuvend, pasi këto janë tema të rënda dhe të ndjeshme.
“Kam tentuar në këtë sallë që këto çështje të mos bëhen diskutim në Kuvend. Kam kërkuar nga Fetah Rudi, të mos flasë për plagosjen e tij. Kam kërkuar nga Shkëmb Manaj të mos flasë për babën e vrarë dhe të djegur. Kam kërkuar nga Doruntinë Malokun të mos flasë për babain e saj që iu vra në prezencë në moshën 16-vjeçare. Kam kërkuar nga Armend Zemaj të mos flasë për tre familjarë të tij si dhe kam kërkuar Marigona Geci të mos flasë, sepse është temë e rëndë dhe e ndjeshme. Këto raste nuk janë zbardhur, njerëzit janë djegur. Kjo është turpshme, mos i personalizoni gjërat. Janë tema të rënda, me dalë dikush me thënë se po rrenë dhe po shpif është e pavërtetë. Të pavërtetat këtu s’kanë me u lejuar. Nëse doni me nivel personal, në nivel personal ka me shkuar”, ka deklaruar Gashi.