Gashi: Kemi marrë masa serioze për parandalimin e aksidenteve në trafik

01 gusht 2018 | 15:02

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka bërë me dije se ministria që drejton dhe Policia e Kosovës kanë marrë masa serioze shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Në tryezën  “Analiza  e gjendjes të sigurisë në rrugët e Kosovës” e organizuar nga kolegji “Tempulli”, ai ka deklaruar se për këtë çështje është formuar edhe një task  forcë.

“Duke iu referuar situatës aktuale lidhur me aksidentet në trafik dhe pasojat e tyre, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë së Kosovës ka marrë masa serioze shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë, parandalimin e aksidenteve të trafikut dhe zbatimin e ligjshmërisë në funksion të menaxhimit dhe kontrollit të trafikut rrugor. Për këtë qëllim Policia e Kosovës nga data 24 korrik 2018, ka themeluar task forcë  për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor”, ka theksuar ministri Gashi.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij rreth rritjes së numrit të aksidenteve me fatalitet në trafik.

“Si ministër i Punëve të Brendshme dëshiroj të shpreh shqetësimin tim për gjendjen aktuale të sigurisë në trafikun rrugor, referuar numrit të aksidenteve në trafikun rrugor përfshirë këtu një numër të konsiderueshëm të aksidenteve me fatalitet”, ka deklaruar Gashi.

Më këtë rast, ai ka shtuar se me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafikun rrugor dhe ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, Policia e Kosovës ka realizuar shumë aktivitete.

Në fund, ministri Gashi ka vlerësuar se problematika e sigurisë në trafik është mjaft komplekse dhe si e tillë kërkon trajtim ndërinstitucional.

Ai ka deklaruar se MPB-ja do të mbetet e përkushtuar të kontribuojë në rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafikun rrugor, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithë partnerët institucional kompetent dhe përgjegjës në këtë fushë.

Edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë tryezë kanë vlerësuar se duhet të dilet me hapa konkret me qëllim të zvogëlimit të numrit të aksidenteve në trafik.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjakovës bëhet komuna e parë me kontrata të…