Gashi kërkon ndihmën e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj po vazhdojnë të qëndrojnë në Austri, ku patën një takim bilateral me zëvendësministren e Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler.
Gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e Policisë së Kosovës në Interpol dhe për migrimin.
Me këtë rast, ministri Gashi ka thënë se Kosova përballet me sfida të brendshme dhe rajonale në fushën e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, prandaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon vendin në luftë kundër këtyre fenomeneve negative.
Ndërsa, zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler, ka thënë se shpreson se partneriteti i Kosovës me Austrinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha dhe projekte të ndryshme, që ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Gashi u shpreh falënderues për ndihmën që ka dhënë shteti austriak, si dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës në menaxhimin e këtij procesi, fillimin e fushatave vetëdijesuese për qytetarët e Kosovës, në lidhje me kriteret që duhet respektuar pas liberalizmit të vizave.
/Epoka e re/