Gashi kërkon ndihmën e Italisë për anëtarësim në Interpol
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka kërkuar ndihmën e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Europol.
Këtë kërkesë ai e bëri sot gjatë takimit me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Ministri Gashi ka falënderuar ambasadorin Sardi për ndihmën e dhënë nga Republika e Italisë në shtetndërtimin e Kosovës.
“Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e të dyja vendeve dhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë. Ministri Gashi e njoftoi ambasadorin italian për prioritetet e tij si ministër dhe për angazhimet e institucioneve sa i përket luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit etj. Ndërsa ambasadori italian siguroi ministrin Gashi për mbështetje të vazhdueshme të Italisë dhe avancimin e bashkëpunimit të të dyja vendeve”, është theksuar në njoftimin e MPB-së.
/Epoka e re/