Gashi kërkon nga Matoshi mbështetje në fushën e ambientit
Kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi, ka pritur në takim ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, me të cilin ka diskutuar për shumë çështje që e preokupojnë këtë komunë dhe qytetarët në fushën e ambientit dhe mbrojtjen e tij.
Gashi ka treguar se me Matoshin kanë diskutuar edhe për projektet dhe investimet që janë duke u bërë në fushën e mjedisit në këtë komunë dhe për Ligjin për Kastriotin.
“Projektet dhe investimet që janë duke u bërë në fushën e mjedisit me parqet dhe hapësirat e gjelbëruara, bashkëpunimi me KEK-un dhe mbështetja e tyre, fokusi i vitit 2019 me buxhetin e Ligjit për Obiliqin me mbi 2 milionë euro në fushën e ambientit, ishin disa nga temat që shtjellova me z. Matoshi, nga i cili kërkova mbështetje dhe bashkëpunim duke njohur specifikat që kemi në ambient si komunë industriale që jemi. Edhe ministri Matoshi u zotua për mbështetje karshi komunës me kaq shumë atakime në fushën e ndotjes së ambientit”, ka thënë Gashi.
Pas takimit, Gashi e Matoshi kanë vizituar disa vende të cilat janë pastruar gjatë aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”. “Vizituam vendet në terren me ç’rast falënderova përzemërsisht DMM-në, vullnetarët, nxënësit, qendrat rinore, OJQ-të, shkollat dhe institucionet shëndetësore, deponinë në Mirash, e me theks të veçantë KEK-un për punën e madhe që po e bëjnë tani e një muaj në largimin e deponive ilegale (inerte) si dhe pastrimin e komunës në përgjithësi”, ka thënë Gashi.
/Epoka e re/