Gashi: Kryeministri dukej si drejtor i spitalit, drejtor i çerdhes dhe komandant i stacionit të policisë
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka ironizuar me fjalimin e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend.
“Një gjë është e sigurt, kryeministri e ka pas fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizmit. E pamë si drejtor i një ndërmarrje publike, e pamë si drejtor i spitalit në Pejë, e pamë si drejtor në çerdhe, e pamë si drejtor në stacion të Policisë, asnjëherë si kryeministër. Sot si deputet të këtij Kuvendi kemi për detyrë të trajtojmë zotimet e bëra nga qeveria dhe përmbushjen e tyre në sektorët kyç të vendit tonë”, ka thënë Gashi.
Gashi ia ka kujtuar Kurtit premtimet që sipas tij, qeveria ka dështuar.
“Kishte premtuar shuarjen e Agjencisë së Privatizimit, privatizimi po vazhdon, kryeministri ka dështuar. Ke dështuar me Bankën Zhvillimore. Ka premtuar skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, nuk është realizuar ke dështuar. Ka premtuar revitalizimin e ‘Trepçës’ nuk është realizuar, ke dështuar. Siguria në punë, qeveria premtoi përmirësimin e kushteve të punës, pesëfishimin e inspektorëve, asnjë prej tyre nuk ka ndodhur”, ka thënë Gashi.