Gashi: LDK-ja në kërkim të emrit për kryeministër

17 prill 2020 | 20:27

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, u shpreh se është dashur një kohë e gjatë që të mbërrihej në një konkluzion të përbashkët me “Lëvizjen Vetëvendosje” për një koalicion.

“Problemet kanë qenë të ndryshme, duke u nisur nga fakti që “Lëvizja Vetëvendosje” është një parti e majtë dhe mënyra se si ato e konceptojnë ekonominë dhe çështjet që lidhen me Kosovën janë krejtësisht të ndryshme nga ato të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke qenë se kemi patur për një periudhë të gjatë një qeverisje prej partive të ashtuquajtura të dalura prej luftës, ne si parti e qendrës së djathtë e kemi vlerësuar që prioritare të jetë ndryshimi politik në Kosovë. Ne kemi patur rreth 25% të votave të elektoratit, thuajse njëlloj me Lëvizjen Vetëvendosje. Si rezultat i formulës ata kishin një deputet më shumë se ne dhe kryeministri i takoi asaj partie. Ne formuam një koalicion, por si duket kryeministri dhe partia e tij nuk ishin të gatshëm të qeverisnin dhe për 50 ditë shkatërruan një koalicion që u konsiderua si koalicioni i shpresës në Kosovë”, tha Gashi në një intervistë për “Balkan Talks”.

I pyetur nëse sheh ndonjë gabim në sjelljet politike të LDK-së, Gashi tha se gjen plot të tilla dhe se në partinë e tij ka liri në mënyrën e të menduarit.

“Ne jemi partia e parë demokratike në rajonin tonë dhe po ashtu njerëzit tanë shquhen për mendimet e tyre të lirë edhe kur janë në kundërshtim me partinë. Nuk gjej një gabim, por plot të tilla për partinë time dhe veten, megjithatë e rëndësishme është që të gjithë vendimet që kemi marrë, qofshin ato të gabuara, kanë nisur nga vullneti i mirë që të kemi një zhvillim pozitiv në Kosovë. Ndërsa zoti Kurti me pagabueshmërinë e tij arriti që në më pak se 50 ditë të shkatërrojë raportet e Kosovës me SHBA-në dhe ta vendosë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm në arenën ndërkombëtare. Lidhja Demokratike e Kosovës është e para parti anti-komuniste në rajonin tonë dhe ishte e papranueshme dhe e padurueshme sjellja e tij. Kurti ka tendenca absolutiste dhe tendenca që të jetë ai që vendos edhe të tjerët të mos guxojnë të flasin. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e suporton dot një sjellje të tillë”, u shpreh Gashi.

Më tej, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës vijoi të theksonte se Albin Kurti ka një sjellje prej diktatori dhe se është duke prishur marrëdhëniet me SHBA-në.

“Nuk e konsideroj zotin Kurti si anti-amerikan, por si një person që ka tendenca absolutiste dhe diktatoriale dhe që bën një politikë që ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-në në mënyrën se si ka vepruar. Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë eksplicite nuk do të kishim më shumë se sa një njohje. Nëse nuk kemi përkrahjen e SHBA-së shumë shtete do të tërheqin njohjen e Kosovës. Ne kemi dhënë maksimumin që kjo qeveri të ekzistojë. Ne e kemi lutur zotin Kurti që të mos prishë marrëdhëniet me SHBA-në për hir të Kosovës dhe të heq tarifën që tashmë nuk është më një instrument që mund të përfitojë prej saj. Tarifa është duke rënduar si një gur i fortë mbi qafën e Kosovës edhe duhet eliminuar urgjent”, tha Gashi.

Sa i takon qëndrimeve të Vjosa Osmanit, Arben Gashi u shpreh se në LDK liria e mendimit respektohet.

“Zonja Osmani është e nderuar, është Kryetare e Kuvendit. Ka shprehur me fjalë dhe votë mospajtimin e saj ndaj qëndrimeve të partisë, por jeta politike vazhdon”, tha ai.

Në fund të intervistës ai tha se është autorizuar nga kryetari i partisë për të identifikuar kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, në rast se LDK do të duhet ta bëjë këtë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të qenë sa më afër nevojave dhe kërkesave të…