Gashi: LDK-ja nuk ka paguar asnjëherë analistë për të bërë politikë në favorin tonë
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Arben Gashi thotë se për shkak të pandemisë kjo parti nuk ka mundur të ketë komunikim të drejtpërdrejt me elektoratin dhe strukturat për të sqaruar shumë çështje përfshirë edhe prishjen e koalicionit me LVV-në.
‘’Një kohë të gjatë nuk arritëm të përçojmë mesazhin tonë. Nuk jemi fokusua në atë që kanë bërë partitë tjera’’, tha ai në “Debat Plus”.
Gashi thotë se gjatë kësaj kohe LDK-ja është dëmtuar nga lajmet e pavërteta që janë shfaqur në “Facebook”.
“Për ne është krijuar një perceptim i gabuar me lajme të rreme. Ne nuk kemi paguar analistë për të bërë politikë në favorin tonë”, tha Gashi ndër tjera.
Ai thotë se programi qeverisës i LDK-së është arsye pse duhet votuar kjo parti.
Ish-deputeti i legjislaturës së fundit thotë se vet fakti se të hyrat në dogana në vitin 2021 nuk ishin më të ulëta se viti 2020 tregon se LDK menaxhoi mirë pandeminë.
Gashi ka folur edhe për koalicionin me Vetëvendosjen.
“Ndodhi një sinkronizim i pa arsyeshëm me Vetëvendosjen dhe një shkrirje të elektoratit që pasoi më pas me një rrjedhje të elektoratit tonë në LVV. Më pas edhe disa figura kyçe tonat u afruan shumë me LVV-në dhe humbën idealet e LDK-së. Mënyra e bashkëpunimit me LVV-në duhej të ishte më ndryshe”, tha ndër të tjera Arben Gashi.