Gashi lë Gjermaninë, konfirmon rikthimin në futbollin e Kosovës

26 qershor 2023 | 16:25

Fatlum Gashi ishte larguar nga Kosova për ta vazhduar karrierën në Gjermani, por pas një vit ai do të rikthehet. “Lumi” kishte marrëveshje dhe këto ditë do të bëhej pjesë e Lippstadt 08, por për arsye familjare ai do të rikthehet për ta vazhduar jetën në vendlindje.

Fatlum Gashi është një futbollist i respektuar e i dëshmuar në futbollin e Kosovës. “Lumi” një vit më parë vendosi ta braktisë futbollin dhe Kosovën për ta vazhduar jetën e karrierën në Gjermani, ku për tetë muaj ishte aktiv në futbollin gjerman në rangje më të ulëta. Gashi ishte afër marrëveshjes me SV Lippstadt 08 që bën gara në Regionalliga West apo ligën e katërt gjermane, por për shkaqe personale nuk do të shkruajë marrëveshje me këtë klub dhe do të rikthehet në Kosovë. “Këto ditë kam pasur mundësinë të nënshkruaj kontratë me SV Lippstadt 08, por për arsye familjare më duhet të kthehem në Kosovë dhe nuk mund ta vazhdoj karrierën në Gjermani”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”.

Futbollisti Gashi me rikthimin në Kosovë do t’i rikthehet edhe futbollit të Kosovës në të cilin ka një karrierë të gjatë, ku ka luajtur për klube si Besa e Pejës, Dukagjini, Istogu e Drenica. “Menjëherë si të kthehem do të nënshkruaj me një klub dhe të vazhdoj të luaj, sepse e dua futbollin. Tashmë kam marrë disa oferta dhe brenda pak ditësh do të vendos për ofertën më të mirë”, ka shtuar ai.

“Lumi”, që është vëllai i mesfushorit të njohur Dukagjin Gashi, nuk ka pranuar t’i tregojë emrat e klubeve të cilat e kanë kontaktuar. “Jo, nuk është korrekte të përmend emra tash për tash, por mund të konfirmoj se dy oferta janë nga klubet e Superligë e dy të tjera nga Liga e Parë”, ka konfirmuar Gashi.

Edicionin e fundit para se të largohet nga futbolli i Kosovës, Gashi ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës së Drenicës. Atëkohë ishte zgjedhur edhe futbollist i javës për paraqitjen brilante që kishte në ndeshjen ndaj Dritës së Gjilanit (2-1).

 

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është djegur një kamion në Zonën Industriale në Fushë-Kosovë, konkretisht…