Gashi: Marrëveshja ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë të jetësohet sa më parë
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar, me të cilin ka biseduar për diasporën shqiptare në Turqi, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për investimet strategjike.
Gashi ka falënderuar ambasadorin turk, Sakar, përkatësisht shtetin turk që gjuhën shqipe e ka futur si lëndë zgjedhore në kuadër të mësimit të rregullt në Turqi. Aktualisht, mësimi shqip zhvillohet në shkollat fillore të qyteteve Izmir dhe Bursë.
Ministri Gashi e ka informuar ambasadorin turk se në kuadër të investimeve strategjike ka interesim nga kompani turke për lehtësirat e investimit në Kosovë, si dhe për aplikimin për statusin e investitorit strategjik. Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm që marrëveshja ekonomike mes dy shteteve të jetësohet sa më parë.
Ambasadori Çagri Sakar ka falënderuar ministrin Gashi, duke treguar interesim për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e arsimit dhe në ekonomi. Gjithashtu, ka shprehur gatishmëri që ta thellojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit, përkatësisht për diasporën shqiptare në Turqi.
/Epoka e re/