Gashi, mbështetja e shtetit gjerman jetike për Kosovën
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të martën në takim Kestrin Zielosko-Labonte, zyrtare e lartë në Ministrinë për Kulturë dhe Sport të Republikës së Baden-Württembergut të Gjermanisë, njëherësh edhe koordinatore e projekteve për fushën e arsimit Gjermani-Kosovë e zëvendëspresidentit evropian, Reiner Welan.
Ministri Gashi ka falënderuar Labonte dhe përmes saj, qeverinë gjermane, për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria dhe populli gjerman kanë dhënë dhe po japin për shtetin e Kosovës në të gjitha fazat shtetndërtuese.
Ndër të tjera ministri Gashi e ka njoftuar zyrtaren gjermane për punët dhe angazhimet e tij në fushën e zhvillimit të kulturës, si dhe hapat që janë ndërmarrë nga ana e MKRS-së, për realizimin e shumë projekteve kapitale, me theks të veçantë për ndërtimin e ndërtesës së Operës dhe Baletit si një nevojë e kamotshme e komunitetit artistik në Republikën e Kosovës.
Ministri Gashi ka shprehur gatishmërinë e tij që të intensifikohen marrëdhëniet me dikastere të veçanta brenda Bundestagut Gjerman në rrafshin kulturor dhe në fushën e trashëgimisë kulturore.
Zyrtarja gjermane ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen, duke vlerësuar lartë të arriturat që ka shënuar Republika e Kosovës në fushën e kulturës, veçanërisht në arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes në programin “Evropa Kreative”.
Ajo ka bërë me dije se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet.
/Epoka e re/