Gashi: Mbijetesa nuk diskutohet

03 mars 2020 | 22:12

Sulmuesi Dren Gashi për “Epokën e re” ka thënë se Ferizaj ka synime që të marrë rezultat pozitiv kundër Prishtinës të mërkurën në kryeqytet.

Skuadra e Ferizajt është paraqitur mirë në ndeshjen e fundjavës kundër Llapit, pasi ka shënuar fitore me rezultat 2-0. Të dyja golat i realizoi sulmuesi Dren Gashi, i cili për “Epokën e re” ka thënë se tri pikët e fituara janë shumë të vlefshme dhe motivuese për klubin që ta vazhdojë garën për mbijetesë në elitën e futbollit të Kosovës. “Këto pikë mendoj se na këndellen sadopak për ta vazhduar luftën e ashpër që do të bëhet midis skuadrave të Superligës për të mbetur pjesë e rangut elitar edhe në edicionin e ardhshëm. Sigurimi i mbijetesës do të jetë i vështirë, por në fund besoj se do t’ia dalim”, ka thënë Gashi.

Skuadrën e Ferizajt e pret edhe një tjetër derbi në mesjavë, pasi të mërkurën do të luajë kundër Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa Gashi beson se mund të marrin rezultat pozitiv në këtë sfidë. “Ndeshjen e radhës e keni shumë të vështirë kundër Prishtinës. Synimet ndaj ish-skuadrës sime janë të qarta si për mua, po ashtu edhe për klubin që të dalim pozitivisht nga kjo ndeshje që do të jetë e vështirë, pasi që Prishtina po kalon nëpër formë të mirë dhe është një skuadër me traditë të madhe në futbollin e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Garën për mbijetesë Ferizaj do ta zhvillojë kundër Vushtrrisë dhe Dukagjinit që i ka lënë pas në renditjen tabelore, por edhe me Trepçën ’89 dhe Drenicën që janë dy pozita më lart. Futbollisti në fjalë mendon se nuk do të kenë problem që të dalin më të suksesshëm se skuadrat e lartpërmendura. “Mendoj se do ta shkatërrojmë secilën skuadër që na del përpara në secilën lojë të ardhshme, sepse çdo pikë e fituar do të jetë e artë në rrugën drejt arritjes së objektivit kryesor për të qenë pjesë e Superligës edhe në edicionin 2020/2021”, ka përfunduar ai.

Pas njëzetë xhirove të zhvilluara, Ferizaj renditet në pozitën e dhjetë me 22 pikë të grumbulluara, ku ka regjistruar shtatë fitore, një barazim dhe dymbëdhjetë humbje.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 1500 nxënës të shkollës së mesme “Ahmet Gashi” në…