Gashi: Mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, prioritet i MKRS-së
Me ftesë të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë të mërkurën në dëgjimin publik me temën “Monitorimi i Zbatimit të Ligjit për Trashëgimi Kulturore”.
Ai ka thënë se mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, është e përcaktuar si një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Me gjithë sfidat, e që nuk janë të pakta, sfida këto të trashëguara dhe aktuale, me angazhimet tona, po mundohemi të përmbushim obligimet, por edhe të konsolidojmë edhe më tutje gjendjen në teren. Sigurisht që përkujdesja ndaj trashëgimisë kulturore, është në mandatin e ministrisë, por legjislacioni në fuqi obligon edhe shumë institucione tjera, në nivelin qendror dhe lokal, pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se janë të vetëdijshëm se korniza ligjore në fushën e trashëgimisë kulturore, është mjaft komplekse, por sipas tij, kjo nuk nënkupton që mund t’i shmangen detyrave dhe obligimeve si MKRS.
“Sikurse që jemi të vetëdijshëm se numri i prioriteteve është shumë i madh, kurse kapacitetet institucionale aktuale nuk janë të mjaftueshme. Jemi të përkushtuar që të punojmë edhe më shumë që këtë fushë të ndjeshme ta vendosim në binarë”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/