Gashi: Modeli i votimit për diasporën ka dështuar, duhen ndryshime urgjente
Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka marrë pjesë të premten në punimet e Samitit të Dytë për Diasporën organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Në panelin për Votën e Diasporës si e drejtë politike, ministri Gashi ka theksuar se sistemi i tashëm i pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet në Kosovë mund të konsiderohet si i dështuar, andaj sipas tij ndryshime sa më të shpejta duhet të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës.
Në këtë kontekst Gashi ka potencuar faktin që si shtet llogarisim që në diasporë kemi diku rreth 700 mijë shtetas të Kosovës po aq sa edhe kemi votues në Kosovë, mirëpo sipas tij përqindja e pjesëmarrjes së diasporës është pak më shumë se 1 për qind.
“Kjo mund të riparohet duke e përdorë ligjin ekzistues por me ndryshimin e modelit të zgjedhjeve apo me ndryshimet të Ligjit Zgjedhor dhe Kushtetutës në relacion me zgjedhje. Gjatë marsit do të fillojmë konsultat me partitë parlamentare politike në Kosovë dhe më pas edhe debate publike të ngjashme me ato për ligjin e diasporës ashtu që të ofrojmë përfundimisht partive politike, Qeverisë dhe Kuvendit një platformë të përbashkët se si në të ardhmen të organizohet pjesëmarrja e diasporës në jetën politike në Kosovë”, ka thënë Gashi.
Ky përkushtim reflektohet edhe Ligjin dhe Strategjinë e re të diasporës i cili pritet të miratohet së shpejti.
/Epoka e re/